Fondi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), ka thënë se në lindje të Ukrainës 1 milion fëmijë kanë nevojë për ndihma humanitare, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i UNICEF, Christophe Boulierac, në një paraqitje për mediat në zyrat e OKB-së në Gjenevë, tha se për shkak të konfliktit të paktën 1.7 milionë njerëz në lindje të Ukrainës janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe se shumë familje nuk mundin të sigurojnë as nevojat e jetesës.
Duke vënë në dukje se të paktën 740 shkolla janë dëmtuar për shkak të sulmeve të separatisteve pro rusë në këtë rajon, zëdhënësi bëri thirrje për zbatim të marrëveshjes së arritur në Kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk.
Boulierac e cilësoi si të mjerueshme gjendjen e 200 mijë fëmijëve që ndodhen në rajonet ku përplasen forcat qeveritare me separatistët por rusë.
Ai theksoi se numri i fëmijëve në nevojë në këtë rajon, nga viti i shkuar është rritur me 420 mijë duke shkuar në total në 1 milion.UNICEF thotë se fëmijët në këtë rajon kanë nevojë për ndihma mjekësore, ushqimore dhe ujë të pastër.
Ai ka theksuar se për tu ardhur në ndihmë fëmijëve në lindje të Ukrainës nevojiten rreth 31.3 milionë dollarë dhe se deri më tani është siguruar vetëm 10 për qind e kësaj shume.Në rajonet e lindjes së Ukrainës, që prej vitit 2014 ushtria e këtij vendi lufton kundër separatistëve pro rusë.
OKB thotë se si rrjedhojë e konfliktit në këtë rajon, të paktën 10 mijë njerëz kanë humbur jetën dhe 23 mijë të tjerë janë plagosur.