Politikanë dhe intelektualë të ndryshëm shqiptarë anë e mbanë Maqedonisë, kanë uruar sot Ditën e Pavarësisë së Kosovës, nëpër media të ndryshme elektronike dhe të shkruara, transmeton Gazeta Express.
Portali Albeu ka nxjerrë pjesë nga këto urime të përzemërta të politikanëve dhe intelektualëve shqiptar nga Maqedonia me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës duke filluar nga lideri i BDI-së Ali Ahmeti:
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, me anë të një postimi, përcjell urimet më të ngrohta e vëllazërore bashkëkombasve tanë në Kosovë dhe gjithandej.
“Kujtoj me përulësi heronjtë e UÇK-së dhe shpreh mirënjohje dhe respekt pa fund për patriotizmin, atdhedashurinë, sakrificën dhe kontributin e madh të brezave të tërë.
Ne, motra dhe vëllezër tuaj, do të qëndrojmë gjithmonë pranë jush dhe me ju në çdo sakrificë, në çdo sfidë dhe në punën tonë të përbashkët drejt integrimit të plotë euro-atlantik. Sot dhe përgjithmonë, ne jemi bashkë. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!”, ka uruar Ali Ahmeti.
“Në këtë përvjetor të rëndësishëm për mbarë kombin Shqiptar, gëzohemi për Kosovën si shtet i pavarur dhe urojmë, që Kosova të përparojë drejt integrimit të plotë euro-atlantik dhe në ndërtimin e një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Kam kënaqësinë e veçantë që në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare të Ju uroj juve dhe gjithë shqiptarëve që këtë ditë ta kremtojmë me krenari dhe me bindje të plotë drejt progresit dhe integrimeve euroatlantike”, ka uruar Menduh Thaçi.
Po ashtu, në emër të Rilindjes Demokratike Kombëtare dhe në emrin e tij personal, Vesel Memedi ka shprehur urimet më të ngrohta për popullin e Kosovës dhe për shqiptarët në përgjithësi që festojn këtë ditë monumentale, ditën e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Urimeve për Pavarësinë e Kosovës, i janë bashkangjitur me urimet e tyre edhe kreu i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi. Nuk kishte se si të mungonte edhe urimi i rektori i Universitetit të Tevovës Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili ka thënë se 17 shkurti është datë e ndritshme e arsimit sipëror në gjuhën shqipe./Gazeta Express/