Është herë e dytë që për 17 Shkurt i mungon dikush.
Më 17 Shkurt 2008 kur u shpall pavarësia e Kosovës dhe tash nëntë vjet pas kur Kosova e feston ditëlindjen e nëntë.
E kjo ditë po i duket e vështirë Rukë Haradinajt, e cila festa e Pavarësisë po i duket e rëndë në mungesë të djalit të saj të madh Ramush Haradinaj.
Më 17 shkurt 2008 Ramush Haradinaj ishte duke u gjykuar në Tribunalin e Hagës ndërsa tash gjendet në Francë ku po mbahet me një fletarrest të Serbisë për krime lufte.
Nëna e katër djemve gjeneralë, e që dy prej tyre tash janë dëshmorë, Luani dhe Shkëlzen Haradinaj, mes lotëve, mallit dhe krenarisë e pret festën e Pavarësisë.
Ajo ndihet krenare që atdheut ia fali dy djem, por thotë se kurrë nuk do të pranojë që t’ia fal Serbisë krimet që i ka bërë në familjen e saj dhe në të gjitha familjet tjera shqiptare.
Nëna e ish- kryeministrit të Kosovës në një intervistë për KosovaPress, e ndjen të vështirë festimin e Pavarësisë pa Ramushin në shtëpi, për të cilin thotë se në zemër dhe në shpirt e ka Kosovën. Rukë Haradinaj thotë se shënimi i nëntë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës është një ditë e madhe për familjen e saj dhe për tërë Kosovën, por mungesa e Ramushit në këtë ditë festive ia shton mërzinë.
“Pak me u mërzitë po, se nuk është Ramushi këtu, me pas kanë Ramushi ne ishim kanë edhe më të lumtur e më të gëzueshëm. Që i kemi dy djem të vranë, unë jam krenare për ta. Pa Ramushin shtirë me prit Pavarësinë”, thotë ajo, ndërsa lotët i rrjedhin kur kujton me mall djemtë që ia fali atdheut dhe mungesën e Ramushit në shtëpi. “Shumë mirë, me mall të madh, por shumë mirë”.
Ajo nuk e fsheh dhembjen dhe mërzinë që ka ndjerë krahas gëzimit, kur para nëntë viteve është shpallë Pavarësia, pasi as atë ditë nuk ishe në mesin e familjes dhe shokëve Ramushi, i cili përballej me gjykim në Tribunalin e Hagës.“Njëjtë, mu mërzitë njëjtë, në vend se me kanë më festu, ai mshel pa të drejtë. Dul qe dy herë i pafajshëm, tash kjo e treta, apet mshel, nuk kemi si mu ni mirë, kurrë drejtësi as liri për ne nuk po ka, as për Ramushin”, thotë Ruka.
Ajo thotë se Ramushi çdo herë ka qenë i mirë si për prindërit, po aq edhe për Kosovën, pasi që në zemër dhe në shpirt e ka Kosovën. “Sa për prindër, sa për Kosovën, nuk muj me dallu kurrgjë, ai në zemër dhe në shpirt e ka Kosovën, prej si fëmijë që e ka fal Zoti ai ashtu ka qenë, i njëjtë, si për prind, si për Kosovën. Kjo na dhemb neve, që është për vend të vet, e s’po e lanë në vend të vet”, thotë nëna Rukë për KosovaPress.
Në këtë ditë të madhe për Kosovën, ajo nuk mund të mos flas për djemtë e saj dëshmorë, Luanin dhe Shkëlzenin, për të cilët thotë se nuk mundet me i përshkruar sa fëmijë të mirë kanë qenë, ndërsa kujton edhe takimin e fundit që ka pasur me Luanin, i cili ia la edhe një amanet, por të cilin nuk ka mundur t’ia mbajë kurrë. “Me Luanin mas mrami jam kanë në bjeshkë, kur ka ardhur e më ka pa, ju kishin aj këmbët, mezi që ia kam dath çorapet, ia kam pre.
Tha ‘nënë nuk shihemi më mes vete nashta’, thash pse ku po shkon, tha ‘kam me shku trup’, thash a në Deçan, tha ‘te vëllezërit tjerë, nuk po di, se shkoj trup, e nuk di çka bëhet. Veç nënë me kanë e fortë’. Jam dal e kam përcjell, thash më ke lanë këto fjalë, çka t’u ka tek a çka po më thua kështu? Tha ‘nënë nashta unë vritna, veç amaneti i Zotit, kurrë lot për mua mos me qit’.
Por unë kurrë s’kam mundur me ia mbajt amanetin, se gjithë kam kajt, gjithë jam kanë e lirë prej lotëve. Ndihem krenar për ta, çfarë fëmijë kam rrit. I kam pas të aftë, e i kam pas të mirë, i kam pas për vend të vet”, thotë Ruka.Ajo kujton se kishte dëshirë që ta martonte Luanin por sa herë ia kishte shprehur këtë dëshirë atij, i kishte thënë se do të martohet vetëm atëherë kur do të mund ta vendos i lirë flamurin kuq e zi, të cilin flamur thotë se e ka mbajtur edhe si fëmijë në shtëpi.
Nëna e Ramush Haradinajt thotë se nuk është e gatshme që t’ia falë Serbisë krimet që i ka bërë në familjen e saj dhe në të gjitha familjet shqiptare.“Së pari nisna si nënë vet, e tana nënat tjera janë si unë, kanë fëmijë të vrarë, gra e pleq, krejt kanë shku, kush mundet me ba ballë me ua fal.
Ma e para unë them jo, kurrë nuk muj me ba ballë me i fal, ato krime janë kanë shumë të rënda në vendin tonë, në shtëpitë tona”, thotë e vendosur nëna e gjeneralëve Luan e Shkelzen Haradinaj.Rukë Haradinaj është nëna e shtatë djemve, më i madhi Ramush Haradinaj i cili ka qenë edhe komandant i zonës Operative të Dukagjinit dhe ish kryeministër i Kosovës, dy dëshmorëve Luan Haradinaj i rënë në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë më 5 maj 1997, Shkëlzen Haradinaj rënë në prill të vitit 1999, Enver Haradinaj i vrarë pas luftës në rrethana ende të pasqaruara, Daut Haradinaj, ish-epror i UÇK-së tash deputet i Kuvendit të Kosovës, si dhe nëna e Frashër dhe Veton Haradinaj.