A është krijuar Universi për ne?
Për pjesën më të madhe të ekzsistencës tonë në Tokë, ne njerëzit menduam për veten si një gjë vërtetë “e madhe”. Më pas erdhi shkenca dhe na mësoi se sa të parëndësishëm jemi. Ne nuk jemi qendra e Universit. Ne nuk jemi të veçantë. Ne jemi vetëm një lloj majmuni, që jetojmë në një planet të vogël, i cili i sillet rrotull një ylli të parëndësishëm në një galaksi midis miliarda të tillave, në një univers që ka ekzistuar për 13.8 miliardë vite, edhe pa ne.
Por ndoshta jemi nxituar shumë, kur i kemi “hequr viz” vetes. Ka një ndjesi, që na bën ende të ndihemi se jemi ende qendra e Universit.
Shkenca gjithashtu na mëson se ligjet e fizikës janë kaq “mrekullisht të akorduar” për ne, njerëzit. Të marrim forcën elektromagnetike. Ka një vlerë që është vendosur në mënyrë perfekte, për t’i bërë yjet të lidhin protonet e neutronet për të krijuar karbonin – bllokun ndërtues të jetës pra, ashtu siç e njohim. Ose forca e lartë bërthamore, e cila lidh brendësinë e protoneve dhe të neutroneve.
Nëse do të ishte edhe pakëz fare më e fuqishme, e gjithë bota do të ishte përbërë nga hidrogjeni; nëse do të ishte pak më e dobët, nuk do të kishte fare hidrogjen. Në secilin rast, jeta siç e njohim, do të ishte e pa mundur. Madje edhe sasia e energjisë që përmban hapësira e zbrazët duket përsosmërisht e vendosur, për të lejuar jetën inteligjente të lulëzojë. Kjo nuk është e gjitha. Rreth 12 parametra, të gjithë të përcaktuar, janë identifikuar si të duhurit për jetën.
Pse Universi është kaq i përsosur? Shumica e fizikantëve tani debatojnë që në njëfarë kuptimi, nuk mund të kishte qënë ndryshe. Arsyetimi i ka dhënë shtysë disa përgjigjeve të ndryshme, të njohura si “parime antropike”.
Njëri skaj i spektrit na vendos sërish në qendër. Ky parim ekstrem antropik parashtron se Universi është kaq i përsosur, saqë duhet të jetë bërë për ne, ose nga një krijues inteligjent. Ose të ngjarë, të jetë për arsye të një parimi themelor të kozmosit, i cili e shtyn atë, Universin, drejt jetës inteligjente. Në librin e tij “The Goldilocks Enigma”, Paul Davies, një kozmolog në Universitetin Shtetëror të Arizonës, tenton të sugjerojë idenë që jeta mund të jetë një ligj i natyrës. Ai e quan atë “parimi i jetës”, megjithëse e pranon se është duke iu përqasur teologjisë.
Shumica e fizikantëve nuk kanë kohë për ide si kjo. “Të thuash se kjo është e gjitha për ne? Eshtë tejet e çuditshme”, thotë Sean Carroll, një kozmolog në Insitutin Kalifornian të Pasadenas.
Ndoshta, atëherë, është e kundërta: sipas një formulimi tjetër të parimit antropik, Universi ekziston vetëm për arsye se ne ekzistojmë. Ne e sjellim atë në mendje me ndërgjegjen tonë.
Ka edhe disa versione të tjerë të këtij parimi. Ato përpiqen të shpjegojnë pse Universi do të shfaqej përsosmërisht i bërë për ne, edhe nëse nuk është. Ky parim antropik thotë se duke ditur që ne jemi këtu për të vëzhguar Universin, ai thjesht duhet të lejojë ekzistencën tonë.
Kjo merret shpesh me nënkuptimin se ka rajone të tjera të Universit – ose edhe Universe – ku ligjet e fizikës dhe konstantet janë të ndryshme. Kështu të pyesësh pse gjërat janë kështu, ngre në fakt pyetjen tjetër, se pse jemi ne në këtë rajon.
Në këtë rast, parimi antropik është i qartë: vendet që “mirëpresin” llojin tonë të jetës janë të vetmet vende ku ne mund të jemi. Kjo linjë arsyetimi ka qënë përforcuar nga ekzistenca e mundshme e një multiuniversi, versione të të cilit shfaqen nga të dyja; mekanika kuantike dhe kozmologjia standarte. Me shumë Universe të tjera, secili me konstantet dhe ligjet e veta fizike, misteri i universit tonë të “mirë-akorduar” avullon. Ne mundet të ekzistojmë vetëm në një univers, i cili është i mirë-akorduar për jetën me bazë karboni.
Por edhe nëse ky version i parimit antropik shpjegon “mirë-akordimin”, ai sërisih na kthen ne te një pjesë e asaj lavdie të mëparshme, që i kthen vëzhguesit tanë njerëzorë prapa, në përshkrimin tonë të kozmosit. “Nëse doni të shpjegoni universin që ne shohim, vetë fakti që ne e shohim atë është pjesë e atij shpjegimi”, thotë Davies. “Eshtë paksa një kthesë në formë U-je në historinë e shkencës, që e ka zhvendosur tërësisht vëzhguesin nga piktura”.