Lajme

Nuk gjenden mbetje mortore te ura në Mitrovicë

By first-channel.tv

February 16, 2017

Gërmimet vlerësuese të filluara sot paradite, rreth orës 09:30, në lokacionin e shënjuar te Xhamia te Ura e Ibrit në Mitrovicë, kanë përfunduar rreth orës 16:00, pa gjetje të mbetjeve mortore të viktimave të luftës, ka bërë të ditur Qeveria.

Sipas Kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, gërmimet janë realizuar përmes hapjes së ‘tri kanaleve vlerësuese’, në dimensione të ndryshme duke përfshirë tërë zonën e dyshuar, apo lokacionin e shënjuar, mirëpo rezultati i të cilave ka qenë negativ, pra pa gjetje të mbetjeve mortore.

Nëpërmjet një komunikate, Qeveria ka njoftuar se gërmimet vlerësuese në zbatim të ‘Urdhëresës së Gjykatës’, janë realizuar nga ekspertët mjekoligjor vendor dhe të EULEX-it, me përkrahjen e institucioneve kompetente, si Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Policisë së Kosovës, Njësitit të Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, dhe institucioneve tjera.