Botë

Ky është deputeti hero i Zvicrës, ja çka bëri për një refugjat afgan

By first-channel.tv

February 16, 2017

Të martën në mëngjes policia kantonale e ka bastisur shtëpinë e Manuel Donzé, deputet i PDC-së në Këshillin e Lartë, i cili kishte strehuar në shtëpinë e tij një refugjat afgan, të cilin autoritetet parashikonin ta dëbojnë. Manuel Donzé njoftoi zyrtarisht për praninë në shtëpinë e tij të refugjatit afgan, i cili dëshironte të aplikojë për azil në Zvicër. Ai kishte parashikuar ta paraqesë këtë kërkesë përmes një letre në adresë të Entit të Popullsisë.

Hetimet e kryera nga policia në shtëpinë e deputetit kishin për qëllim dëbimin e refugjatit “në bazë të marrëveshjeve të padrejta të Dublinit”, u theksua në deklaratën e kolektivit CollectifR, i cili mbështet emigrantët, ku përfshihet edhe Manuel Donzé.

“Akt politik”

“Kjo është skandaloze”, është shprehur deputeti, duke denoncuar një “praktikë të patolerueshme”, raportoi të martën gazeta frankofone “24Heures”. Për Manuel Donzé, veprimi i tij është një akt politik, ndërsa Këshilli i Lartë i Vaud-it fillon diskutimet në lidhje me ligjin për të huajt.

Këshilltari shtetëror, përgjegjës për azil, Philippe Leuba, hodhi poshtë këto akuza përmes radios LFM, duke folur për “barazi për të gjithë para ligjit”.

Shefja e Departamentit të institucioneve dhe të sigurisë, Béatrice Métraux, ka siguruar ndërkohë se nuk ishte në dijeni për bastisjet në shtëpinë e deputetit.

Tri bastisje të tjera në shtator 2016

Tre të zgjedhurit në Lozanë, David Payot, Leonore Porchet dhe sekretari i Solidaritetit, Pierre Conscience, të cilët gjithashtu mbështesin CollectifR, kanë pësuar një bastisje të policisë në shtëpitë e tyre gjatë vjeshtës së kaluar.

Ata më pas kanë bërë thirrje për “strehim të paligjshëm të emigrantëve”, duke denoncuar përmbajtjen “çnjerëzore” të marrëveshjes së Dublin-it.