Udhëheqësi opozitar dhe aktivisti anti-korrupsion Alexei Navalny nuk u dëshpërua kur një gjykatë në Kirov vendosi më 8 shkurt se ai ishte fajtor për akuza për përvetësim.
Vendimi i gjykatës, pothuajse identik me një vendim të një çështjeje të vitit 2013, ka krijuar një pengesë ligjore që zoti Navalny të regjistrohet si kandidat për zgjedhjet presidenciale të Rusisë të marsit 2018. Legjislacioni rus ndalon regjistrimin e kandidatëve të dënuar për krime të rënda.
Zoti Navalny u gjet fajtor për përvetësim dhe u dënua me pesë vjet burgim me kusht. Ai dhe mbështetësit e tij thonë se procesi ishte i motivuar politikisht. Pavarësisht vendimit, ai beson se e drejta e tij kushtetuese për të marrë pjesë në zgjedhje është ende e paprekur. Ai ka besim se mbështetja e publikut do t’i mundësojë të kandidojë për president vitin e ardhshëm.
Udhëheqësi opozitar po përpiqet të krijojë një rrjet të gjerë mbështetësish dhe thotë se ka filluar që tani çeljen e degëve të fushatës për zgjedhjet e marsit 2018.
Në një intervistë për shërbimin në gjuhën ruse të Zërit të Amerikës, zoti Navalny diskutoi çështje të ndryshme, si planet për ngritjen e degëve të fushatës, nëse ai vetë ndihet personalisht i sigurtë, si dhe çfarë mendon kur e krahasojnë me Presidentin amerikan Donald Trump.
—
Çfarë planesh keni për të hapur degë të fushatës?
Alexei Navalny: Kemi hapur tashmë një zyrë të fushatës në Shën Pjetërburg. Javës së ardhshme, do të hapim zyra në Ekaterinburg, Novosibirsk, dmth do t’ia fillojmë nga qytetet. Objektivi ynë është të hapim zyra të fushatës në 77 qytetet më të mëdha të Rusisë.
A ka patur ndonjë reagim nga autoritetet rajonale ruse në këto qytete për të cilat po flasim?
Alexei Navalny: Deri më tani nuk kemi parë ndonjë reagim të madh. Kuptohet që nuk flasim dot për ndonjë lloj mbështetjeje, por deri më tani nuk kemi parë as ndonjë rezistencë domethënëse. Mendoj se ende nuk kanë marrë një sinjal serioz. Në Shën Pjetërburg p.sh., pamë se partia në pushtet “Rusia e Bashkuar”, kërkoi që zyra jonë e fushatës të mbyllej… Mendoj se me hapjen e pesë degëve të para të fushatës do të mësojmë më shumë se çfarë po planifikon Kremlini për ne.
Politikanët thonë se po tregoheni proaktiv, duke u mbështetur tek një lëvizje sociale që në njëfarë mënyre do të rrisë presionin ndaj qeverisë ruse për t’ju njohur si një konkurent legjitim. A është e tillë situata?
Alexei Navalny: Do të thoja se janë thjesht njerëzit që kanë nevojë për një kandidat të ri. Unë flas në gjuhën e njerëzve dhe ata e kuptojnë se këto janë të gjitha marifete ligjore. Ata e shohin se ekziston një person dhe që ky person e ka të drejtën të marrë pjesë në zgjedhje… Prandaj dhe u bëj thirrje njerëzve ta rrisin presionin ndaj Kremlinit për ta detyruar që të më lejojë të regjistrohem. Nuk ka mënyrë tjetër për t’ja arritur kësaj.
Çfarë forme mendoni të marrë ky presion?
Alexei Navalny: Të çfarëdoshëm… me krijimin e zyrave të fushatës, me punë propagandistike, duke ndikuar tek opinioni publik në rrugë dhe në internet – me të gjitha metodat e disponueshme.
A do të ngrini një padi? Juve thoni se kjo ka të bëjë me konfliktin ndërmjet të drejtës kushtetuese për të marrë pjesë në zgjedhje dhe kufizimeve të legjislacionit.
Alexei Navalny: Nuk e përjashtojmë. Është punë që kërkon shumë kohë. Duke parë dhe situatën me gjykatat tona, është e qartë se cili do të jetë rezultati. Sidoqoftë, do të lëvizim në drejtime të ndryshme pasi njerëzit duan që t’i bëjmë gjërat ndryshe. Disa kërkojnë që ne të ngrejmë padi. Atëherë do ta bëjmë këtë gjë së bashku.
A mendoni se ka ndryshuar diçka për sa i përket sigurisë tuaj personale dhe të familjes, që nga dhënia e verdiktit të parë gjyqësor të vitit 2013?
Alexei Navalny: Nëse krahasoni Rusinë e vitit 2013 me atë të vitit 2017, është një vend krejtësisht i ndryshëm. Është absolutisht një vend i ndryshëm! Që nga ajo kohë, u vra Boris Nemtsov. Sulme ndaj njerëzve ndërmerren pothuajse çdo ditë. Çeçenia është bërë praktikisht një shtet fashist, ku njerëzit torturohen dhe vriten. Pra, është e pamundur të krahasohen dinamikat; janë dy vende krejt të ndryshme. Dhe sigurisht që tani është shumë më keq. Por, kjo në përgjithësi nuk e ndryshon përqasjen tonë se për çfarë duhet të luftojmë.
A janë shtuar kërcënimet ndaj juve personalisht?
Alexei Navalny: Me gjuajnë me sende herë pas here; shpesh ka persona që më presin në afërsi të zyrës, por nuk ndodh aq shpesh sa të bjerë në sy. Pra, nuk ka kërcënime konkrete ndaj meje. Por, i shohim ato ndaj njerëzve që janë të lidhur me mua.
Gjatë fushatës elektorale për president të zotit Donald Trump, mediat ruse ju krahasuan me të, duke pikasur disa ngjashmëri. Si ndjeheni për këtë krahasim?
Alexei Navalny: Nuk di nga erdhi kjo gjë. Gazetarët vazhdimisht kanë nevojën të më krahasojnë me dikë. Fatmirësisht, ndaluan së më krahasuari me Julian Assange, por filluan të më krahasojnë me Donald Trump. Nëse shqyrtoni axhendat dhe pikëpamjet tona politike, vihen re disa dallime. Por, ndoshta në shoqërinë e sotshme politike, ky aspekt ndoshta neglizhohet. P.sh., Trump dhe Putin e duan shumë njëri-tjetrin, pavarësisht se pikëpamjet e tyre politike janë 100% diametrikisht të kundërta.
Në Evropë ekziston tashmë frikë ndaj efektit të propagandës ruse tek zgjedhjet. Kjo propagandë i bashkangjitet rritjes së ndjesive populiste, me kandidatë që përdorin për turmat sllogane të llojit “Nesër, do t’ju jap gjithçka!”, dhe njerëzit që fillojnë t’i mbështesin. A e vëreni juve rrezikun e populizmit? A mendoni se ekziston një linjë e qartë që ju ndan juve prej populizmit?
Alexei Navalny: Nuk e shoh rrezikun e populizmit. Mendoj se është i ekzagjeruar. Çfarë është populizmi? Dikush thotë se përmbledh gjërat që janë popullore. Në fakt, këto gjëra nuk janë gjithnjë ekstremiste. Unë mbështes pikëpamjen se politika zhvillohet si një lavjerës. Kemi parë deri tani një tendencë të zgjatur liberale, për gati dy dekadat e fundit të politikave botërore. Tashmë po ndodh qartësisht një korrigjim i kësaj tendence, ose madje edhe një tendecë në drejtim krejtësisht të kundërt. Nuk mendoj se do të zgjasë për shumë kohë. Kam përshtypjen se në periudhën afatgjatë, do të shohim, ashtu si më parë, një tendencë liberale në politikat evropiane.