Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka thënë se ndonëse Kosova tashmë po bën nëntë vjet shtet, ajo nuk ka pavarësinë e saj të plotë.
Hasani ka thënë në Klan Kosova se është mosformimi i ushtrisë së Kosovës, që po e pamundëson që vendi ynë të jetë plotësisht i pavarur.
Hasani po ashtu ka vlerësuar se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ndodhi rastësisht më 17 shkurt, por sipas tij u bë pasi vendi kishte përmbushur të gjitha kriterët për të qenë shtet gjë që u arrit sipas pakos së Ahtisarit.
Hasani ka thënë se Bashkimi Kombëtar do të bëhet, ndonëse në deklaratën e pavarësisë së Kosovës qëndron një pikë që nuk lejon bashkimin e vendit me shtete të tjera.
”Ne kemi edhe mundësi të integrimit të shoqërisë shqiptare, askush nuk na pengon të kemi një gjuhë, të ardhme dhe arsim të përbashkët”, ka thënë Hasani.
”Pa zbatimin e ligjeve nuk kemi të ardhme të vendit. Për zhvillim të vendit kemi kapacitete të mjaftueshme. Edhe ndihma që na jep bashkësia ndërkombëtare është një plus por ne jemi ata që duhet të vendosim ta cojmë vendin përpara”, është shprehur ai.
”Në deklaratën e Pavarësisë thuhet një pikë që nuk i lejohet Kosovës bashkimi me asnjë shtet tjetër. Por ne asnjëherë nuk heqim dorë nga Bashkimi Kombërtar”, ka deklaruar Hasani.
”Shteti ka mundësi të arrijë bashkimin tonë. Shqipëria e ka në Kushtetutën e vet nevojën për ndihmë të shqiptarëve dhe ne do të arrijmë”, ka thënë ai.
”Besoj që do të arrijmë Bashkimin Kombëtar. Në të ardhmen do të ketë disa pengesa por bashkimin e kërkon tregu ekonomik e po ashtu edhe në Europë kërkohet të jemi shoqëri e bashkuar”, është shprehur Hasani.
”E ardhmja themi ne që është Bashkimi Europian por në të vërtetë e ardhmja jonë është Bashkimi i një shoqërie shqiptare”, ka përfunduar Hasani.