Site icon first-channel tv, Prishtinë, Kosova

Daçiq anulon vizitën në Kroaci, ashpërsohen tonet mes dy shteteve

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka anuluar pjesëmarrjen e tij në një takim që do të zhvillohet më 3 mars në Zagreb, me homologët e vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Bashkëpunimit të Europës Juglindore.

Vendimi, ka bërë të ditur dikasteri i drejtuar nga Daçiq, është marrë pas deklaratave të fundit të ministrit të Jashtëm kroat, Davor Stier, kundër parimeve themelore për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe për promovimin e bashkëpunimit rajonal.

Daçiq i është referuar edhe celebrimit në Kroaci të lumturimit të kardinalit Alojzije Stepinac, i akuzuar nga Beogradi për krime lufte dhe mbështetje të regjimit kroat gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas kritikave të Daçiqit, shefi i diplomacisë kroate ka mbyllur çdo rrugë komunikimi me homologun serb.

“Kroacia synon të vazhdojë mbajtjen e marrëdhënieve të mira me Serbinë dhe të ruajë një kanal komunikimi me Beogradin, por kjo është e pamundur me ministrin Daçiq”, ka deklaruar ministri Stier. /tch

Exit mobile version