Në prill të këtij viti mbahen zgjedhjet presidenciale ne Serbi. Janë paraqitur shumë kandidatë presidencialë por jo edhe nga partia më e madhe atje – Partia Përparimtare e Serbisë (SNS) – kandidati i së cilës pritet që të fitojë edhe një mandat.
Partia SNS, kryetar i së cilës është Kryeministri aktual serb, Aleksandar Vuçiq, është në koalicionin qeverisës më partinë e Ivica Daçiq, Partia Socialiste e Serbisë (SPS). Daçiq mbanë edhe pozitën e zëvëndëskryeministrit dhe ministrit të punëve të jashtme të Serbisë, raporton Gazeta Express.
Kandidati i përbashkët i koalicionit qeveritar do të fitonte zgjedhjet presidenciale me lehtësi por situata është komplikuar së tepërmi lidhur me kandidatin presidencial, dhe, rrjedhimisht, edhe orientimin e qartë të Serbisë.
Moska e dëshiron Presidentin aktual në Serbi, Tomisllav Nikoliq, i cili nuk e fshehë afërsinë e madhe me Moskën asnjëherë edhe pse formalisht angazhohet për integrime evropiane. Hendikepi i tij është se nuk e ka mbështetjen e partisë së koalicionit – SPS. Ivica Daçiq ka kërcenuar hapur se nësë kandidati i SNS do të jetë Tomisllav Nikoliq atëherë ai do të dalë si kandidat presidencial jashtë koalicionit. Daçiq-i ka kërkuar hapur që kandidat presidencial duhet të jetë Kryeministri aktual, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq-i konsiderohet si favorit në të gjitha sondazhet e kryera nga agjensi të ndryshme në Serbi dhe bile do të fitonte me lehtësi qysh në raundin e parë të zgjedhjeve ndërkohë që sondazhet parashikojnë një garë të ngushtë nëse Nikoliq do të ishte kandidat presidencial.
Sipas paralajmërimeve të mediave serbe, dita e sotme është dita kur përfundimisht do të bëhet publik emri i kanidatit presidencial nga koalicioni SNS-SPS dhe njëkohësisht edhe një qartësi më e madhe e zhvillimeve politike në Serbi.
Mos kandidimi i Nikoliq-it do të thoshte se Serbia definitivisht largohet gjithnjë e më shumë nga ndikimi rus ndërsa kandidatura e tij do të thoshte vazhdim i politikës aktuale të Serbisë me lidhje të forta me Moskën dhe njëkohësisht edhe vazhdim problematik i rrugës evropiane të Serbisë./GazetaExpress/.