Lajme

Thaçi: Familjarët e të zhdukurve shqiptarë dhe serbë i njohin dhimbjet e njëri -tjetrit

By first-channel.tv

February 13, 2017

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka nisur një iniciativë të pajtimit në mes të shqiptarëve dhe serbëve, duke themeluar një komision që do të quhet “Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin”.

Ai në takimin e sotëm, ku përveç liderëve të vendit, dhe klerikëve të tri feve kryesore në vend, ishin të pranishëm edhe familjarët e të zhdukurve nga komuniteti shqiptar dhe ai serb, tha se “pajtimi i parë dhe më i shpejt në mes të dy komuniteteve ka ndodhur mes familjarëve të të pagjeturve, të cilët janë bërë bashkë në dhimbje dhe ke kanë njohur njëri-tjetrin përmes dhimbjeve të tyre”.

“Duke respektuar dinjitetin dhe integritetin e secilit edhe ne po mundohemi të krijojmë një mekanizëm mbështetës për dialogun e brendshëm të hapur në mes komuniteteve në Kosovë për të kaluarën e dhimbshme dhe një bazë të shëndoshë të pajtimit. Besimi i ndërsjellë duhet fituar, jo duke mohuar, por duke marrë përgjegjësi”.

Ky komision sipas presidentit do të jetë një fillim i ri.

Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin do të jetë një shanse e dytë për një fillim të ri. Dhe të kujtojmë të kaluarën e dhimbshme është një pjesë e rëndësishme e fillimit të ri.