Qeveria serbe ka formuar një grup pune i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviq, i cil ido të merret me çështjet e normalizimit të fluturimeve të aviacionit civil mbi Kosovë, duke përfshirë rivendosjen e fluturimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ka deklaruar Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.
Përveç kësaj, grupi i punës do të merret me çështjen e marrjes përsëri nën kontroll të radarit në Kopaonik, me qëllim të krijimit të kushteve për menaxhimin e sigurt të trafikut ajror mbi Kosovën, shkruan Blic, raporton Gazeta Express.
“Formimi i një grupi punues i përfaqësuesve të institucioneve relevante tregon gatishmërinë për të vazhduar diskutimin për këto çështje të rëndësishme, si dhe angazhimin për mbrojtjen e interesave vitale kombëtare, zhvillimin e paqes dhe sigurisë dhe krijimin e një atmosfere të besimit në rajon”, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviq, për agjensinë Tanjug dhe ka shtuar se në lidhje me çështjet aktuale në kuadër të kompetencave të grupit të punës, do të bisedohet në Serbi dhe në Bruksel, për ç’gjë publiku do të informohet.
Grupi i punës përfshin ekspertë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtrisë së Serbisë, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Zyrës për Kosovë, Zyrës për detyra koorodinuese në procesin e negociatave me institucionet në Prishtinë, Drejtorinë e Aviacionit Civil dhe agjencia për kontrollin e fluturimit të Serbisë dhe Malit të Zi.

