Lajme

Maqedoni – Rritet numri i grave që lindin pas të 30-ve

By first-channel.tv

February 12, 2017

Gratë në Maqedoni gjithnjë e më vonë bëhen nëna. Sipas të dhënave të Spitalit të posaçëm të gjinekologjisë dhe akusherisë “Nëna Terezë” në Çair, në vitin 2005 numri i grave që fëmijën e parë e kanë lindur mbi 30 vjet përbën gjashtë për qind të numrit të përgjithshëm të lindjeve, raporton Alsat-M.

Ndërkohë të dhënat e fundit nga viti 2017 tregojnë se kjo përqindje ngjitet deri në 36 për qind. Gjinekologët paralajmërojnë se mosha e nënës e rrit rrezikun e shtatzënisë dhe ndikon në gjendjen shëndetësore të fetusit.

“Nëse një 25 vjeçare ka shansin 1 në 1,800, të ketë një fëmijë me sindromin e Daunit, do të thotë 1.800 femra nga 25 vjet ti renditni dhe njëra do të ketë një fëmijë me sindromin e Daunit. Në moshën 40 vjeçare kjo është 1 në 100, në 45 vjet kjo është 1 grua në 30 gra. Faktor shumë i rëndësishëm është mosha e nënës”, tha Kristina Skeparovska, gjinekologe në Spitalin gjinekologjik “Nëna Terezë” në Çair.

Fenomenin që ka kapluar vendin, sociologët e lidhin me shumë faktorë si pozita e gruas në shoqëri dhe gjendja ekonomike në të cilën jeton.

“Kjo ka të bëjë me shkatërrimin e sistemit tradicional të vlerave, filloi një proces i shpejtë i ndryshimeve të cilat thellë hynë në ato sfera, gratë janë të emancipuara, dhe janë në proces të karrierës, në procesin e edukimit, pastaj pozicionohet në shoqëri, dhe lindja në vetvete do të thotë ndalim i një pjese të atyre aktiviteteve që kanë të bëjnë me komunitetin e gjerë”, deklaroi sociologu Ilija Aceski.

Sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikës në vitin 2016 mosha mesatare e nënave në vend që kanë lindur fëmijën e tyre të parë është 27 vjet. Mosha mesatare e femrave në numrin e përgjithshëm të lindjeve është 29.4 vjet në zonat urbane, kundrejt 27.7 vjet në zonat rurale./Alsat/