Superkupa e Evropës, për vitin 2019, ka gjasa të zhvillohet në Tiranë
Federata e Futbollit e Shqipërisë (FSHF) ka aplikuar në UEFA që të jetë organizatore për organizimin e Superkupës së Evropës në vitin 2019.
Këtë e ka konfirmuar edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka. Por, Duka shpreson që deri atëherë stadiumi “Qemal Stafa” të jetë gati, pasi deri më tani është në fazën fillestare të punimeve.
“Për sa kohë që kemi aplikuar në instancat përkatëse të futbollit botëror, për të qenë vend kandidat për organizimin dhe zhvillimin e ndeshjes së Superkupës së Europës të vitit 2019 në stadiumin ‘Arena Kombëtare’,
atëherë vërtetë shpresojmë dhe mendojmë që punimet për ndërtimin e këtij impianti të realizohen dhe përmbushen plotësisht brenda afateve të përcaktuara në projekt”, deklaroi Armand Duka.
Si kundërkandidatë me “Qemal Stafën” për të qenë nikoqir i Superkupës europian janë paraqitur edhe: Stadium de Toulouse, Tulluz FRA; Florian Albert stadion, Budapesht HUN; Sammy Ofer Stadium, Haifa IZR; Astana Arena, Astana, KAZ; Windsor Park, Belfast, IRL V; Gdansk Arena, Gdansk, POL; Stadion Narodowy, Varshavë, POL; Hampden Park, Gllasgou, SKO; Besiktas Arena, Stamboll TUR. /Express/