Botë

Storia e jashtëzakonshme e portierit 44-vjeçar të Egjiptit

By first-channel.tv

February 03, 2017

Portieri i Egjiptit, Essam El-Hadary, është treguar vendimtar për Egjiptin të mërkurën mbrëma, duke pritur dy penallti dhe duke e dërguar përfaqësuesen në finale të Kupës së Shteteve të Afrikës që po mbahet në Gabon. El-Hadary ka më tepër se 20 vjet që është në portën e “faraonëve”, shkruan sot Koha Ditore.

Derisa po shkonte në drejtim të gazetarëve, Essam El-Hadary i lejoi vetes një buzëqeshje para se të kafshonte një mollë që e kishte në dorën e majtë.

Ishte një gjest satisfaksioni për njeriun që e dinte se punën e tij në mbrëmje e kreu, madje në mënyrë perfekte. Ai ndali dy penallti gjatë ekzekutimit të penalltive të mërkurën dhe e dërgoi Egjiptin në finale të Kupës së Shteteve të Afrikës.

El-Hadary e njeh mjaft mirë atë ndjenjë, ai e ka bërë punën e vet mes shtyllave të portës për Egjiptin për më tepër se 20 vjet. Në fakt, kur ai bëri debutimin me përfaqësuesen e Egjiptit, më 26 mars të vitit 1996, portieri i skuadrës kundërshtare, të mërkurën mbrëma, ai i Burkina Fasos, Kouakou Herve Koffi, ende nuk ishte lindur.