Lajme

Thaçi e kritikon Shpend Ahmetin për qeverisjen në Prishtinë, Rama i thotë se po bën fushatë

By first-channel.tv

February 02, 2017

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thumbuar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për qeverisjen në kryeqytetin e vendit.

Thaçi ka thënë se “ka më shumë ndërtime pa leje në Prishtinë” se në veriun e vendit, duke iu përgjigjur një pyetjeje se pse shteti nuk e ka trajtuar murin e ndërtuar nga serbët në veri të Mitrovicës si çdo ndërtim tjetër pa leje, por ka miratuar një rezolutë enkas për të në Kuvend, raporton Gazeta Express.

Thaçi po ashtu ka thënë se më shqetësuese është ndotja në Prishtinë se sa muri në veri. “Muri do të hiqet shumë shpejt. Por, për ne shqetësim është ajri i ndotur në Prishtinë”, ka thënë Thaçi në “Zona e Debatit” në Klan Kosova.

E, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i pranishëm bashkë me Thaçin në debat, sikur i ka dalë në mbrojtje pak kreut të Prishtinës, që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Rama ka sugjeruar se Thaçi po bën fushatë, duke thënë se “kjo tregon që keni edhe zgjedhje lokale në Kosovë”. /Express/