Në Rusi, më shumë se 600 gra vriten në shtëpi nga burrat e tyre çdo muaj

Marina, është një femër nga Rusia e cila rrëfen historinë e saj në zë të qetë, por të dhënat që ajo i jep janë të tmerrshme.

Ajo tregon se si burri i saj e rrah atë pothuajse çdo ditë, kështu më shumë se një vit me radhë, transmeton lajmi.net.

Më shumë se 600 femra ruse, vriten çdo muaj brenda në shtëpitë e tyre, këto janë nga statistikat që ka nxjerrë policia, por megjithatë ekziston frika se kjo situatë po përkeqësohet.

Por në Parlamentin e Rusisë, është miratuar një amendament që heq abuzimin në familje nga kodi penal.

Sipas këtij legjislacioni, personat që kryejnë dhunë fizike në gratë por që nuk shkaktojnë lëndime të rënda deri për vdekje, do të përballen me burg për 15 ditë, në vend se të shkojnë në burg për 2 vjet ashtu siç ishte deri tani.

Ky ligj i hartuar, ka të bëjë me sulmet që shkaktojnë dhimbje fizike por jo lëndime të rënda trupore.

Olga Batalina, është një nga autoret e ndryshimit të këtij ligji, e sipas saj dhuna ndaj grave në shtëpi është problem më i vogël, përkundër dhunës familjare, kur prindi rrah fëmijët.

“Për ne është shumë më e rëndësishme që si institucion të mbrojmë familjet”, tha ajo.

Në anën tjetër, Partia komuniste ka kundërshtuar këtë projektligj duke thënë se në këtë mënyrë numri i vrasjeve tek femrat do të rritet.

“Gratë e femrat e reja shpesh nuk shkojnë në polici apo gjykatë për t’i akuzuar burrat e tyre, e kjo vetëm nga frika, e tani raste të tilla do të ketë edhe më pak me këtë ligj, e numri i vrasjeve do të rritet”, ka thënë deputeti Yuru Sinelshchikov.

Statistikat e Ministrisë së Brendshme në Rusi, tregojnë se 9,800 gra kanë vdekur si pasojë e sulmeve të rënda, e një e katërta prej tyre janë nga sulmet brenda nëpër shtëpi.

Për tu kthyer edhe një herë tek Marina, e cila rrëfen para kamerës tmerrin që ka kaluar, tregon se si është injoruar vazhdimisht nga policia ruse.

“Fytyra ime gati u nda në dysh. Trupi im ishte i gjakosur dhe nuk mund të qëndroja në këmbë. Kam shkuar në polici por më larguan nga aty. Më thanë ne nuk jemi hotel”, është shprehur Marina.

Aktivistët po e quajnë këtë ligj “Liria për të rrahur gratë”, pasi në vend se t’i kushtohej rëndësi e madhe kësaj dhune ndaj grave, deputetët e zvogëluan dënimin për dhunuesit.

“Është sikur atyre iu dha liri më e madhe për t’i rrahur gratë e tyre. Kjo nuk ka të bëjë me një shuplakë apo grusht fytyrës, dhuna po i qon deri vdekjes gratë”, janë shprehur aktivistët.

Vetëm vitin që lamë pas, janë bërë më shumë se 5,000 telefonata nga gratë në Rusi, që kanë kërkuar ndihmë pasi janë rrahur në shtëpi nga burrat e tyre.

Temat
BotëLajme

Të afërta