Lekaj shpalosë rezolutën për Haradinajn

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se rezoluta e propozuar nga ky subjekt partiak për miratim në Kuvendin e Kosovës, kërkon lirimin e menjëhershëm të liderit Ramush Haradinaj dhe ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Lekaj ka radhitur pikat e propozuara të rezolutës, për të cilat ka thënë se ende nuk janë harmonizuar me Kuvendin, por se ka vetëm një pikë për të cilën AAK-ja nuk pranon negociim dhe nuk heq dorë.

“Rezoluta kërkon lirimin pa kushte të Haradinajt të ndodhë sa më shpejtë dhe të kosndierohet si detyrë primare shtetërore, qeveria e Kosovës të kërkojë me ngulm përfshirjen e BE-së dhe të Federica Mogherinit, Të ndërpriten bisedimet me Serbinë, deri në anulimin e të gjitha fletë-arresteve për ish-pjesëtarët e UCK-së. Kjo rezolutë ende nuk është harmonizuar mirëpo ajo që është e rëndësishme, është se rezoluta nuk do tërhiqet dhe pika më kryesore është ndërprerja e bisedimeve me Serbinë, madje këtë pikë nuk e negociojmë dhe nuk e largojmë”, ka thënë Lekaj.

Ndër të tjerash Lekaj e ka cilësuar si absurditet arrestimin e Haradinajt në Francë dhe ka thënë se është i kënaqur me mënyrën se si Kuvendi e ka diskutuar çështjen e arrestimit të tij.

“Është e turpshme të ndodhë diçka e tillë, ngase ai është ndaluar me një akt-akuzë të vitit 2004. Është absurde që të ndalohet në Francë, në një shtet mik të Kosovës që ka marrë pjesë në bombardimet kundër Serbisë. Të ndalosh një kryeministër, një lider partie një luftëtar dhe një njeri që i ka kontribuuar lirisë së Kosovës, është absurditet. Haradinaj nuk është trajtuar si njeri i një grupacioni politik nga Kuvendi, por si një burrë-shtetas”.

Temat
LajmeVend

Të afërta