Lajme

Të ftohtit në Evropë ilustrohet me pamjet nga Kosova (Foto)

By FIRST CHANNEL

January 09, 2017

Fotografitë në vijim janë të shkrepura në fshatin Jezerc të Ferizajt nga agjencia britanike e lajmeve, Reuters. Përmes tyre, mediumi tjetër britanik, “The Independent”, ka portretizuar Evropën e ngrirë të ditëve të fundit.

Më shumë se 10 persona kanë vdekur nga bora dhe i ftohti që la shumë fshatra pa energji elektrike, ngriu lumenj e edhe pjesë të Detit Adriatik, si dhe anuloi fluturime në mbarë kontinentin.

Edhe në Serbi moti ishte i ashpër, duke bërë që autoritetet atje të evakuojnë vetëm gjatë natës së mbrëmshme mbi 120 persona dhe 70 automjete në pjesën jugore të vendit që u godit më së shumti nga moti i ftohtë dhe ku bora arriti lartësinë e 3 metrave.

Në Serbi, sipas “The Independent”, autoritetet kanë ndaluar trafikun në lumenjtë Danub dhe Sava për shkak të akullit dhe erës. Autoritetet atje thanë se lumi i Moravës së Madhe është ngrirë për herë të parë në dy dekadat e fundit.

Edhe në Kosovë dje është raportuar për ngrirjen e Drinit të Bardhë dhe të liqenit të Badovcit. Kurse në Shqipëri, si pasojë e temperaturave tejet të ulëta, është ngrirë lumi Drin.