Art

Bullgaria do ta promovojë Besa Llugiqin edhe me CD

By Dijart Dyla

January 05, 2017

Besa Llugiqi të paktën dy herë do të udhëtojë drejt Bullgarisë brenda dy muajsh. Sopranoja e njohur kosovare në fund të janarit do ta reprizojë rolin kryesor të operës “La traviata” në Shtëpinë Shtetërore Operistike, që ndodhet në qytetin Stara Zagora.

E një muaj më vonë do të ndalet në Sofje për të incizuar CD-në e parë promovuese me një orkestër me nam.

Llugiqi – emër tashmë i njohur për audiencën bullgare që përcjell muzikën klasike – do të interpretojë disa arie në përcjellje të Orkestrës Simfonike të Radios Kombëtare Bullgare, që vepron në Sofje dhe koncertet kryesisht i mban në Sallën Koncertale të Bullgarisë.

Orkestra ka pasur incizime me studiot më të njohura të incizimeve në Bullgari e më gjerë, përfshirë “Phonic”, “Belgium”, “Sound Product Netherlands”, “Pyramid Record” në New York e të tjera.