Indeksi i lumturisë: Shqipëria mes Ruandës dhe Etiopisë

Duke iu referuar “vlerësimit të mirëqenies”, i cili publikohet çdo vit nga “Boston Consulting Group” dhe mat mirëqenien e një vendi në mënyrë krahasuese me vendet e tjera, sekretarja...

Duke iu referuar “vlerësimit të mirëqenies”, i cili publikohet çdo vit nga “Boston Consulting Group” dhe mat mirëqenien e një vendi në mënyrë krahasuese me vendet e tjera, sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma, ne nje analize te shkruar sot në “Panorama”, me titull “Indeksi i lumturisë”, bën një analizë edhe per Shqipërinë.

Sipas Gridës, “Nëse në indeksin e mirëqenies jemi te fundi, kur llogaritet indeksi i trishtimi shoqëror jemi ndër të parët, zëmë vendin e katërt në shkallën europiane të trishtimit, me 50 pikë nga 100. Shqipëria ironikisht gjendet në pikën e ekuilibrit perfekt, te gjysma – aty ku qeveria optimiste zgjedh të shohë gotën plot dhe ku qytetarët të stërlodhur e shohin gotën bosh”.

NGA GRIDA DUMA

Në një gjuhë më shkencore quhet “vlerësimi i mirëqenies”. Ai publikohet çdo vit nga “Boston Consulting Group”. Synimi i tij është matja e mirëqenies së një vendi në mënyrë krahasuese me vendet e tjera.

Ajo çka theksohet tashmë në të gjithë treguesit e matjes është që nuk ka më asnjë rëndësi shifra e rritjes ekonomike, sado e madhe të jetë shifra e rritjes së produktit të brendshëm, (GDP) nëse ajo nuk shpërndahet te të gjitha fashat e shoqërisë, mund të shkaktojë edhe përkeqësimin e gjendjes së një vendi.

E sjellë në kontekstin shqiptar, kjo do të thotë që nëse nga njëra anë Kryeministri çirret me kasetë për rritje ekonomike mbi 3%, ai duhet, nga ana tjetër, të çirret më fort që Banka e Shqipërisë deklaron që shifra e parave që dalin nga Shqipëria për t’u çuar në vende të tjera është më e larta ndër vite, mbi 260 milionë USD.

Po ashtu, duhet të çirret që asnjë pjesë e kësaj rritjeje të vogël nuk ka shkuar te rritja e konsumit apo ulja e çmimeve, çka do të thotë jemi në skenarin e rrezikshëm të tharjes së kapaciteteve tona.

Kështu, në indeksin e mirëqenies apo “lumturisë”, autorët i shtojnë kriterit ekonomik dimensione të tjera: cilësinë e mjedisit; kohezionin social; cilësinë e qeverisjes; aksesin në arsim; në shëndetësi; në infrastrukturë.

Ekonomia është e para, por ajo nuk vjen e vetme.

Ku qëndron Shqipëria në këtë tablo, e matur në një shkallë nga 1 në 100?

Në krye të vlerësimit SEAD të mirëqenies për Europën qëndrojnë të zakonshmet: Norvegjia me 100 pikë, Suedia, Gjermania, Danimarka… nga fundi përsëri të zakonshmit: Maqedonia, Moldavia, Bosnja.. Shqipëria.

Nëse në indeksin e mirëqenies jemi te fundi, kur llogaritet indeksi i trishtimiT shoqëror jemi ndër të parët, zëmë vendin e katërt në shkallën europiane të trishtimit, me 50 pikë nga 100. Shqipëria ironikisht gjendet në pikën e ekuilibrit perfekt, te gjysma – aty ku qeveria optimiste zgjedh të shohë gotën plot dhe ku qytetarët të stërlodhur e shohin gotën bosh.

Për Kosovën nuk ka të dhëna. Ç’na thotë ky rezultat – nota pesë?

Në thelb atë që dimë të gjithë – jemi gjysma e asaj që mund të ishim. Çfarë thotë tjetër? Mund të ndodheshim edhe më keq. Ka vende që kanë vuajtur më tepër dhe vazhdojnë të vuajnë më shumë.

Bosnja – me luftën vrastare të viteve ’90 dhe amullinë që vazhdon ta shkatërrojë, Maqedonia me tensionin ndëretnik, Ukraina me konfliktin me Rusinë. Shqipëria nuk ishte në luftë, por ndoshta duhen dëgjuar dhe ata zëra që thonë më mirë të kishim kaluar dhe një luftë, sepse së paku pas një lufte mbahet gjallë një shpresë. Shqipëria duket sikur sot nuk ka as paqe, as shpresë.

Ka diçka te ne që nuk arrijmë dot ta zgjojmë, ndaj themi se nuk ekziston: potencialin që kemi, aftësinë për të fituar nëpërmjet konkurrencës, aftësinë për ta transformuar pasurinë në mirëqenie. Është jashtëzakonisht e trishtueshme kjo e vërtetë, pasi pakëz mirëqenie e shtuar te ne sjell potencialisht shumë më tepër lumturi.

Raporti rendit Ruandën, Shqipërinë dhe Etiopinë si vendet ku kjo ka më shumë gjasë të ndodhë. Por, ai gjithashtu përmend Kroacinë, Bosnjën dhe Serbinë si vendet ballkanike ku transformimi drejt mirëqenies po ndodh realisht. Ndërsa ne vijojmë të cilësohemi si një vend me potenciale, që mundet të bëhet, por nuk bëhet.

Nuk na ndihmojnë rezultatet optimiste të studimit të botuar pak ditë më parë që u përdorën kudo në shërbim të megafonit gaztor të Kryeministrit, pa asnjë mëshirë për Shqipërinë e vërtetë që ka nevojë për të vërtetat. Ironia therëse ishte kur reklamohej që ai studim i rendit shqiptarët ndër popujt më të dashur e më të ngrohtë në mjediset e punës.

Përsëri në shkallën nga 0 në 100, Shqipëria “prin krenare” për miqësinë e saj me plot 80 pikë, duke lënë pas vetes vende të zhvilluara europiane. Madje, si një teatër me regji gjeopolitike të kahershme, me interes për ne qëndronte fituesi i kampionatit të miqësisë: Maqedonia, e cila në studimin SEAD konkurronte rrotë më rrotë me Shqipërinë në disiplinën europiane të mungesës së mirëqenies.

Jemi ndër të parët për miqësi në vendin e punës, të fundit për mirëqenie në shoqëri. Nuk ka asnjë studiues, as amator, që ta pranojë që atje ku ka bashkëveprim në proceset e prodhimit apo punës dhe ku ka konkurrencë harmonike, nuk rezulton mirëqenie.

Shpalosje të tilla të nxjerra nga konteksti janë po aq historike jo në të mirë të vendit. Ka një shpjegim të thjeshtë (nuk është i vetmi) për këtë: struktura e ekonomisë sonë. Pjesa dërrmuese e bizneseve shqiptare përbëhen nga të vetëpunësuar që ofrojnë punësim familjar. Dashamirësia jonë superiore në ambientet e punës lidhet me dashurinë për hallën, vëllain, kunatin, motrën, tezen.

Vështirë se kjo dashuri, e cila natyrisht s’duhet përbuzur, do të na rrisë performancën tonë ekonomike, kompetitivitetin dhe produktivitetin. Megjithatë, daullet e qeverisë mund të ushtojnë nga tingujt e suksesit, ashtu siç ushtonin në vitet ’80, kur Shqipëria e skamur dhe e uritur fitonte çmimin botëror të ushqimit. Jo detyrimisht duhet të jemi të ftohtë dhe egoistë për të qenë të suksesshëm në treg. Nuk është e nevojshme të hedhim tej dashamirësinë për të arritur suksesin.

Simptoma kryesore e problemit shqiptar nuk është mungesa e dashamirësisë – është indiferenca dhe terri mbi tregun e punën ku zhvillohet ekonomia jonë.

Në Athinën e lashtë, për qytetarët që refuzonin të merrnin pjesë në punët e shtetit, kishte një emër – i quanin idiotes – idiotë.

Ai që nuk kishte interes për interesin publik, shkruante Tuqididi, nuk shihej si dikush që thjesht shihte punët e veta, por si dikush që s’kishte asnjë arsye për të jetuar në Athinë.

Si lidhet në kontekstin tonë indiferenca me mungesën e mirëqenies? Ajo përkthehet në pak interes për cilësinë e mjedisit; në pak interes për kohezionin social; në më pak presion publik ndaj cilësisë së qeverisjes. Përkthehet në gërryerje të të gjitha dimensioneve të mirëqenies ku ne sot çalojmë – dhe nuk është vetëm ekonomia.

Stanjacioni ekonomik është vetëm njëri dimension. Mungesat shqiptare përkthehen në protestën e censuruar të fshatit Zharrëz, ku shumë familje me shtëpi dhe vatra të krisura e panë veten të detyruara të marrin pjesë në një grevë urie në emër të jetës së tyre.

Përkthehen në planin territorial memec të Tiranës, ku propaganda grafike dhe retorika e pseudo-pjesëmarrjes zëvendësuan konsultimin publik.

Përkthehen në makinerinë mafioze të plehrave që mbuloi me arrogancë, papërgjegjësi dhe indiferencë vrasjen e një shtatëmbëdhjetëvjeçari. Kujt i interesojnë “indiferentët”? Natyrisht, atyre që e trajtojnë popullsinë si një bashkë- si individësh “të idiotizuar” me zor.

Atyre që përfitojnë prej dhunimit, nënvleftësimit, relativizimit të tyre. Atyre që përfitojnë nga shkëputja e tyre. Atyre që sundojnë mbi indiferencën e tyre. Atyre që fuqizohen nga mospjesëmarrja e tyre. Sa e paguajmë ne këtë mospjesëmarrje? Shtrenjtë, shumë shtrenjtë, e paguajmë me historinë e jetës sonë në një vend të errët, kundër jetës!

Koncesioni i skanerëve të doganave, me vlerë rreth 200 milionë euro, u shit në një shumë qesharake prej disa mijëra lekësh të vjetër. Koncesioni i hemodializës, me fitim të garantuar prej mbi 100 milionë eurosh, po shitet për disa milionë lekë.

Këto fitime të jashtëzakonshme në kurriz të një populli që ka mbi 100 vjet që këmben lloje të ndryshme varfërie dhe mbijetese, janë të mundura vetëm në sajë të prangosjes së tij në zgjedhën e varfërisë dhe indiferencës, një indiference të detyruar, një varfërie të imponuar.

Kjo situatë është një minierë ari për ata që nisen për gjueti “indiferentësh”. Rruga që të çon drejt indiferencës është një autostradë e mbjellë anash me palma.

Është megalomania e shesheve ciklopike, aty ku rrugët mungojnë. Në traktatin e tij të famshëm “Diskursi i nënshtrimit vullnetar” të vitit 1552, Etienne de la Boetie shkruante: “Përpiqem të kuptoj si është e mundur që kaq shumë njerëz, kaq shumë fshatra, kaq shumë qytete, kaq shumë kombe, shpesh vuajnë nën një tiran të vetëm, i cili nuk ka forcë tjetër përveçse pushtetit që ata me duart e tyre ia kanë dhënë; sepse tirani është i aftë t’i dëmtojë vetëm në përpjesëtim të drejtë me gatishmërinë e tyre për ta duruar atë…

Një situatë e çuditshme!” Ç’duhet bërë? Ndonëse sistemi shtetëror duket si një superfuqi, e cila vijon pa asnjë pengesë të ushqehet mbi kurrizin e përkulur të “indiferentëve”, po aq duhet parë qartë që është lehtësisht i shkatërrueshëm dhe i dobët.

Mjafton të shohësh se si një emision investigues ka fuqinë të “hedhë në ajër” persona të mbrojtur e të majmur dhe ndërgjegjësohesh sesa kolona të forta ose jo ka sistemi. Nuk mund të ndalojmë në mënyrë amatore e të themi shqiptarët janë indiferentë, prandaj bëjnë ç’të duan me ta, a thua se indiferentizmi është veti e trashëguar biologjike.

Shqiptarët janë popull që jeton kulturalisht me politikën. Mjafton të shkosh në fshatra të thella dhe zbulon se si shumica i kanë lexuar me konspekt gazetat e kanë vrojtuar mirë simbolikat e fytyrave që politika përdor nëpër ekrane. Shqiptarët janë në gjendje të të lexojnë nën rreshta nga shkolla e jetës komplekse të vuajtur që kanë pasur.

Por, ka një arsye pse sot sjellja e tyre duket indiferente. Me qëllim shqiptarët e thjeshtë janë lënë në terrin e plotë informativ se si funksionon sistemi.

Nëse pyet edhe një njeri të shkolluar se si përllogaritet asistenca sociale, ai nuk di të ta thotë. Nëse pyet se përse një individ që ka punuar dhjetëra vjet në riparime e ndërtime ende nuk ka asnjë karton që t’ia vërtetojë aftësitë, ai s’di pse nuk i jepet. Sistemi ka bërë gjithçka që njerëzit mos të dinë ku e ka fillin ky shkatërrim.

Po të shihej sa banale është mënyra se si vendoset për fatet e tyre e përpjekjet e tyre, atëherë askush nuk do të ishte indiferent. Duhet nisur nga qartësimi për shqiptarët se si punon e funksionon sistemi.

Nëse shqiptarët e kuptojnë që shteti si një “tagrambledhës barkmadh” bën një llogari nga zyra sa do t’i marrë biznesit dhe thjesht e pjesëton me sa nevojtarë ka, pa asnjë mendim dhe llogaritje si të rrisim të dyja anët e ekuacionit, shqiptarët do të ndryshojnë shikim.

Ata do t’i shikojnë jo më me urrejtje dhe frikë këta lloj shtetarësh, por me përçmim dhe refuzim.

Nëse shqiptarët qartësohen që e famshmja formulë qesharake; “ka punë por s’ka profesionistë”, mbulon një paaftësi të thjeshtë për të certifikuar profesionistët që i ka bërë tregu e eksperienca e tyre në emigrim e kudo, do të mësynin dyert e këtij banaliteti shtetarësh që i mban peng forcën e punës që pret e mpirë në skamje e mëshirë.

Duhet nisur nga qartësimi i shqiptarëve se si funksionon sistemi, duhet nisur me misionin për të thënë të vërtetat e thjeshta, ato të voglat që mbledhur së bashku bëjnë gjithë jetën.

Deri sot, gjithë çfarë është bërë me këto politika të mbajtjes në terr ndaj sistemit, ka shkaktuar që shqiptarët të bëhen mjeshtra të gjetjes së mënyrave të tjera korruptive e më pas u është thënë edhe që korrupsioni nuk luftohet se “vjen nga poshtë”.

Një tjetër keqdashje historike. Nëse shqiptarët kuptojnë ç’ndodh me sistemin dhe si duhet të jetë në rrënjët e veta, atëherë shohim se sa mund t’u thuhet sërish që i ka kapur lija e indiferencës, dhe nëse dikush do të guxojë më të tallet me treguesit e miqësisë në punë!

Temat
Lajme

Të afërta