Lajme

Përurimi tek mjekësia ligjore, Manjani: Ky shërbim, provë për të shuar çdo dyshim

By Dijart Dyla

December 21, 2016

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka zhvilluar ditën e sotme një vizitë pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku u përuruan ambientet e rikonstruktuara të tij, i pari investim në 25 vitet e fundit.

Ministri Manjani u njoh nga afër me ndërhyrjet që kanë mundësuar një sërë lehtësirash për ekipin e mjekëve, ndërsa Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Bledar Xhemali e ka informuar lidhur me një nga risitë më të rëndësishme, sikurse është observatori i qelqit që ka një fushëpamje direkte me sallën e autopsisë, duke i mundësuar ndër të tjera studentëve të lëndës së mjekësisë ligjore që me anë të sistemit dixhital audio t’i zhvillojnë konkretish leksionet e tyre.

Përmes këtij investimi, tashmë ky institut me një rëndësi të veçantë në sistemin e drejtësisë, ka mundësinë për ushtrimin e procesit sipas standardeve më të mira bashkëkohore.

Gjatë fjalës së tij për median e pranishme në këtë aktivitet, Ministri Manjani solli në vëmendje se çdo akt që prodhohet nga ky shërbim ka vlerë juridike dhe shërben si provë në gjyq.

“Ky shërbim është pjesë e shërbimit të investigimit, është pjesë e prokurorisë shqiptare, është pjesë e sistemit gjyqësor, për pasojë çdo akt që prodhohet këtu ka vlerë ligjore, ka vlerë juridike, shërben si provë në gjyq dhe ç’është me e rëndësishmja shërben si provë për të shuar çdo dyshim për ata që ndërrojnë jetë në mënyrë të panatyrshme, që do të thotë ndërrimi i jetës në mënyrë të panatyrshme, këtu merr përgjigje shkencore, ligjore dhe profesionale pse ka ndodhur. Pra, këtu gjenden arsyet e largimit nga jeta në mënyrë të panatyrshme dhe për të qetësuar dhe për të dhënë qetësi për të gjallët. Në këtë kuptim, ky institucion merr një vlerë të jashtëzakonshme, merr një vlerë provuese në kuptimin ligjor.

Nuk është e para herë që unë kam bërë thirrje dhe kam tërhequr vëmendjen e gjyqtarëve të Shqipërisë, prokurorëve të shtetit që të jenë më të vëmendshëm ndaj këtij shërbimi, i cili është ekskluziv në momentin që flasim, që do të thotë askush që ka diplomën e mjekut nuk e ka të lejueshme ose nuk është e mjaftueshme që të kryej akte ekspertimi. Aktet e ekspertimit kryhen këtu, kryhen nga ky institut dhe ai mban përgjegjësi ligjore për çdo gjë”, tha Manjani