“Ja si arrita të kaloj Messin dhe Ronaldon”

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Azdren Llullaku po kalon një moment të jashtëzakonshëm në karrierën e tij duke kaluar me statistika edhe ‘yje’ të mëdhenj si Messi apo Ronaldo.

Llullaku me shumë mundësi po kalon ditët e fundit të karrierës së tij si futbollist i Gaz Metan, pasi sulmuesi kërkohet me ngulm nga disa skuadra të mëdha në vende si: Polonia, Rusia, Turqia, Italia apo Gjermania dhe largimi i tij në janar duket i sigurt, raporton Panorama Sport.

Futbollisti, i cili ka shënuar 16 gola në këtë sezon, dëshironte që t’i jepte lamtumirën tifozëve të ekipit me gola të tjerë, por sot, në sfidën e Kupës së Rumanisë ndaj Dinamos së Bukureshtit, ai nuk gjeti rrugën e rrjetës në humbjen 3-1 në shtëpi.

“Nuk arrita të ndihmoja ekipin si në takimin e mëparshëm. Bëra gjithçka që mundja, më vjen keq që nuk ia dola. Ishte e vështirë të gjeja hapësira të cilat mbylleshin pasi ata mbroheshin me 5 lojtarë. Tani ne duhet të përqendrohemi te kampionati”, tha sulmuesi shqiptar pas ndeshjes.

Takimi i fundit me fanellën e Gaz Metan do të jetë ai ndaj Astra në kampionat, ku Llullaku shpreson t’i kthehet përsëri rrugës së golit. Falë paraqitjes në këtë sezon, ai për momentin është në vendin e tretë në renditjen për “Këpucën e Artë” të Europës, duke lënë pas emrat më të njohur të futbollit botëror si Ronaldo, Mesi, Kavani, Suarez apo Higuain.

“Fakti që renditem sipër Mesit dhe Ronaldos vetëm tregon që kam ndihmuar skuadrën me gola, dhe kjo na ndihmoi për të siguruar pikët. Këto gola janë falë ndihmës së kolegëve të mi”, tha ai. “Merkato? Tani jam i përqendruar 100% te ndeshja me Astran, pastaj do të shoh se çfarë do të bëj. Do të bisedoj me klubin dhe do të marr vendimin më të mirë të mundshëm”, tha futbollisti duke shtyrë për javën e ardhshme të gjitha zërat e merkatos.

Temat
Botë

Të afërta