BDI nuk përjashton mundësinë për koalicionim me Gruevskin

Artan Grubi, shefi i kabinetit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se koalicioni në Maqedoni tash nuk është çështje preferencash personale. “Zgjedhjet i fitoi BDI-ja dhe Ali Ahmeti tek shqiptarët.

Ndërsa te maqedonasit rezultati është i ngushtë. Shumica dërrmuese e shqiptarëve u përcaktuan për Ali Ahmetin dhe BDI-në pikërisht duke pasur në mendje nacionalitetin, qëndrueshmërinë, parashikueshmërinë, stabilitetin, sigurinë, etj”, ka thënë Grubi.
Megjithatë, sipas tij, humbja e kaq shumë mandatave mund të kthejë situatën shumë mbrapa.

“BDI-ja insiston në zbatimin e platformës së vet programore dhe nuk bën kompromise me vullnetin e shqiptarëve. Organet e partisë do të vendosin për hapat e mëtejmë, në interes të gjithë popullit shqiptar, jo vetëm të votuesve të BDI-së”, ka thënë ai.

I pyetur nëse BDI-ja do të pranojë një ofertë të Gruevskit në ditët në vijim, Grubi ka thënë se nuk është ai i cili do të vendosë për këtë gjë.

“Organet e partisë do të vendosin. Preferenca, jo vetëm imja, por e çdo qytetari është qeverisje stabile që adreson çështjet krruciale dhe ekonominë, por këto rrethana lënë shumë për të dëshiruar”, ka thënë Grubi.

Në fund ai ka thënë se do të jetë shumë e vështirë edhe krijimi i qeverisë.

“Situatë shumë e vështirë. E paparashikueshme dhe e paqëndrueshme”, ka përfunduar ai.

TEMAT:ARTAN GRUBIVMRO-BDIKOALICIONMUNDESI

Temat
Rajon

Të afërta