Botë

Amerikanët kanë likuiduar 75% të luftëtarëve të ISIS-it

By FIRST CHANNEL

December 14, 2016

Të paktën 75 për qind e luftëtarëve të Shtetit Islamik u vranë nga sulmet ajrore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, njofton CNN.

Amerikanët thonë se numri i luftëtarëve aktiv në ISIS është ulur dhe është në mes 12 dhe 15 mijë, që do të thotë se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e koalicionit në fushatë dy vjeçare kundër ISIS-it kanë vrarë më shumë se 50 mijë luftëtarë.

I dërguari i posaçëm i SHBA-vë në luftën kundër ISIS-it, Mekgurk Bret ka thënë se numri i luftëtarëve që iu kanë bashkangjitur grupit terrorist do të vazhdojë të ulet, transmeton lajmi.net.

“Ushtarë të gatshëm për të luftuar në Siri e Irak, ka më pak se kurrë”, ka thënë Mekgurk duke shtuar se ardhja e luftëtarëve të huaj në Siri dhe Irak ka rënë për shkak të kontrolleve të rrepta të mbikëqyrjes kufitare.

Fushata kundër ISIS-it e udhëhequr nga SHBA-të, ka nisur në vitin 2014 ku amerikanët kanë kryer më shumë se 17 mijë sulme ajrore, ka thënë Mekgurk.

Megjithatë, përpjekjet për të gjetur dhe likuiduar liderin e ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi ishin pa rezultat. Mekgurk ka theksuar se Al-Badadi nuk është i paprekshëm.

“Publikimi i të gjitha llojeve të audio incizimeve nuk është karakteristikë e një lideri të fortë. Me kalimin e kohës në do ta gjejmë atë”, ka thënë Mekgurk