Botë

Numri i të vrarëve në Stamboll arrin në 38

By FIRST CHANNEL

December 11, 2016

Nga dy sulme me bomba në Stamboll janë vrarë 38 vetë dhe plagosur 166 të tjerë, ka njoftuar qeveria e Turqisë.

Autoritetet sot kanë shpallur Ditë Zie Kombëtare, pasi një makinë – bombë e ka goditur një automjet policor, ndërsa një sulmues vetëvrasës ka sulmuar jashtë një stadiumi futbollistik mbrëmë vonë, dy orë pas ndeshjes së dy ekipeve më të mira në Turqi.

Në mesin e të vrarëve janë edhe 30 policë, ka njoftuar sot ministri i brendshëm, Suleyman Soylu.

Ai ka thënë se janë arrestuar 13 persona të dyshuar.

Zyra e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se ai e ka anuluar vizitën në Kazakistan të paraparë për sot.

Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë e menjëhershme për këtë sulm, por ministri Soylu tha se beson se për këto sulme janë përgjegjës militantët kurdë.

Raportohet se një valë e sulmeve me bomba në Turqi këtë vit ishin ndërmarrë nga Partia Punëtore e Kurdistanit dhe grupi ekstremist, Shteti Islamik.