Një gruaje të dhunuar iu mor jeta…Urdhri i mbrojtjes “ngec” në sekretari!

Vrasja nga bashkëshorti e 43-vjeçares Liljana Ruko në Fier fsheh pas vetes një skandal të institucioneve shqiptare, dhe pritet që shumë shpejt të nisin hetime për të zbuluar përgjegjësit.

E ndjera, që u hodh nga kati i katërt nga burri i saj 52-vjeçari Ferndiand Ruko, kishte denoncuar në polici dhunën që bashkëshorti kishte ushtruar pak ditë më parë ndaj saj. Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri zbulon se menjëherë pas denoncimit, policia e Fierit ka bërë strehimin e Liljanës në banesën e vëllait të saj, dhe i është dërguar kërkesa gjykatës për të lëshuar urdhër mbrojtje.

Por ndërsa këtë të hënë urdhri i mbrojtjes u publikua masivisht në mediat shqiptare, duket se institucionet që duhet ta kishin në dorë dhe të mbanin përgjegjësinë për zbatimin e këtij urdhri, nuk kanë qenë fare në dijeni të tij.

“Deputetja Majlinda Bregu ka publikuar sot një urdhër mbrojtje për Liljana Rukaj, viktimën e dhunës së bashkëshortit në Fier. Pas denoncimit të së ndjerës, Policia ka bërë strehimin e saj në banesën e të vëllait të saj, dhe ka kërkuar menjëhere pranë Gjykatës Fier lëshimin e urdhrit të mbrojtjes.Ligji e do që vendimi i gjykatës për urdhër mbrojtje të ishte dërguar brenda 24 orësh pranë disa institucioneve, një ndër tyre edhe Policia. Ky urdhër mbrojtje, nuk është dërguar kurrë në Polici, e kam frikë në asnjë institucion tjetër.

Ndoshta do ketë mbetur në sekretaritë e gjykatës, a gjithkund tjetër, por vetëm në Polici dhe institucione, nuk ka shkuar. Kush e ka mbajtur këtë urdhër mbrojtje në sirtar, është dhunuesi institucional, që i la rrugë të hapur dhunuesit që i mori jetën një njeriu. Shpresoj të ketë hetim penal, për cilindo përgjegjës që nuk ka bërë detyrën, me koston e madhe të një tjetër viktime të pafajshme nga dhuna në familje”, shkruan ministri Tahiri në rrjetin social Facebook.

Temat
Rajon

Të afërta