Autori i dyshuar për vrasjen e djeshme të Gazmend Sllamit në fshatin Guri i Zi të Elbasanit është arrestuar, bëjnë me dije sot burime nga policia. Ai është 21-vjeçari Altin Hazizi.
“Pas marrjes dijeni se në vendin e quajtur “Ara e Xhemës” shtetasi Gazment Sllami, 19-vjeç, banues në fshatin Guri i Zi, është vrarë me armë gjahu, menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur efektivat e policisë. Në vendngjarje grupi hetimor ka sekuestruar një gëzhojë arme gjahu dhe 5 telefona celulare”, bëjnë me dije burime zyrtare nga policia.
“Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes janë shoqëruar 20 shtetas si të dyshuar apo që kanë dijeni për ngjarjen. Nga veprimet e kryera dyshohet se shtetasi Altin Hazizi, ta ketë vrarë nga pakujdesia pasi kishin dalë të dy për gjueti. Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.
I riu Gazment Sllami (foto), që për pak ditë do të bëhej 19-vjeç, u ekzekutua pasditen e djeshme, rreth 100 larg shtëpisë.
Burime nga policia kanë bërë të ditur se adoleshenti nga fshati Guri i Zi, kishte dalë nga banesa rreth orës 14:00 të mesditës, pas një telefonate që kishte marrë. Familjarët kanë treguar për policinë se ai nuk ka thënë gjë se ku po shkonte. Por, rreth orës 16:00, familjarët kanë dëgjuar një të shtënë.
Ata kanë dalë me vrap nga banesa e tyre dhe janë tmerruar kur kanë parë trupin e pajetë të djalit të tyre. Ekzekutimi i të riut është bërë në një kodër pranë banesës së tij. Familjarët e kanë çuar me shpejtësi drejt spitalit, por ai ka mbërritur i pajetë atje.
