Lajme

Çfarë presim nga vizita në Gjermani

By Dijart Dyla

November 26, 2016

Ditën e hënë, Kancelarja Merkel do të ketë takim me Kryeministrin shqiptar. Takimi zhvillohet në prag të shqyrtimit nga Këshilli Europian i rekomandimit të Komisionit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë si vend kandidat.

Dihet tashmë roli kryesor i Gjermanisë, jo vetëm në Bashkimin Europian si forcë udhëheqëse e tij, por edhe për iniciativën e saj për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

Ky takim u propagandua nga Qeveria Rama si një konfirmim i mbështetjes së Gjermanisë për proceset integruese të Shqipërisë, si dhe vlerësim i sukseseve, progresit në reforma që kjo qeveri ka bërë gjatë mandatit të saj.

Por duket se pritshmëritë janë më të larta sesa është realiteti. Para dy ditësh, kryetari i Komisionit për Çështjet e Bashkimit Europian në Bundestag, Gunter Krichbaum, në një konferencë për shtyp në Tiranë theksoi se hapja e negociatave për Shqipërinë do të kushtëzohet jo vetëm nga përmbushja e pesë prioriteteve të vëna nga Komisioni Europian, por edhe në plotësimin e 7 kushteve të rëndësishme si lufta kundër kriminalizimit të politikës, lufta kundër drogës, standardet demokratike të zgjedhjeve të vitit 2017, duke paraqitur një pamje të plotë të problemeve të politikës shqiptare.

E shokuar nga qëndrimi i deputetit gjerman dhe pritshmëria e krijuar nga propaganda qeveritare për takimin, analiza politike në Tiranë e këtij qëndrimi nuk u fokusua në dështimin e qeverisjes së vendit dhe problemet serioze që kanë prekur Shqipërinë, por u morën me funksionimin e institucioneve në Gjermani, kush ka prioritet në vendimet midis ekzekutivit dhe legjislativit, është apo nuk është Kancelarja Merkel që duhet të marrë vendimin kryesor.

Në thelb të analizës mungonte: Së pari, evidentimi i dështimit të qeverisjes, si dhe rreziku i margjinalizimit të Shqipërisë nga proceset integruese, si një vend kultivues dhe eksportues i kanabisit, i lidhjes së politikës me oligarkët ku nuk ka vullnet për dekriminalizimin e politikës, i rrezikut të deformimit të zgjedhjeve nga influenca e financimeve të dyfishta dhe lidhjes së politikës me elemente me të shkuar kriminale. Së dyti, në mënyrën e perceptimit të funksionimit të institucioneve perëndimore, në këtë rast të parlamentit gjerman, si mbajtës i sovranitetit të vendit. Koncepti i funksionimit të parlamentit nuk mund të deformohet dhe barazohet me funksionimin e tij në vende si Shqipëria, ku deputetët zgjidhen sipas preferencave të liderit partiak dhe mbeten vetëm një vlerë numerike në dorë të tij. Deputetët gjermanë kanë një zë të fuqishëm se përfaqësojnë popullin dhe me integritet të plotë në qëndrimet e tyre, sidomos kur ato artikulohen publikisht.

Ndarja e pushteteve dhe respektimi i pushteteve kushtetuese midis tyre bën të mundshëm harmonizimin e marrëdhënieve mes ekzekutivit dhe legjislativit. Për më tepër, parlamenti gjerman ka një vendimmarrje më të fuqishme në lidhje me procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.

Takimi i pritshëm i Kancelares Merkel me Kryeministrin shqiptar do të anojë nga nota optimiste për të ardhmen e përbashkët europiane. Kjo për vetë vizionin dhe angazhimin e saj për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Ndryshimet gjeopolitike, influenca e fuqive rajonale në Europë, si dhe roli i saj udhëheqës në Europë pas tërheqjes së mundshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një politikë më izolacioniste, do të bëjnë që mesazhi i saj të jetë optimist, duke treguar më tepër vizionin e saj se sa meritat e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Europës së bashkuar.

Ajo nuk do të qëndrojë te kushtet e paraqitura nga deputetë të parlamentit, sesa në domosdoshmërinë e këtij integrimi. Deklaratat e deputetit Krichbaum janë pjesë e qëndrimeve integrale të Gjermanisë, ndoshta edhe të konsensusit paraprak të Kancelares, të përdorura si “shkopi dhe karota”. “Shkopi” për të thënë se e njohim realitetin e Shqipërisë, por kjo i takon popullit shqiptar për ta ndryshuar dhe “karota” për të thënë se ne jemi me Shqipërinë dhe popullin Shqiptar në një të ardhme europiane. Si do të paraqitet ky takim dhe cilat do të jenë rezultatet e tij, ai ka vetëm një të fituar: politikën dhe vizionin e Kancelares së Gjermanisë, që me meritë po synon mandatin e katërt. Për ne të tjerët mbetet aftësia për të lexuar dhe reflektuar seriozisht për ndryshim nga mesazhet e Gjermanisë.