Meta në Gjermani: Zgjerimi i BE drejt Ballkanit, kyç për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit në takime nga Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Bundestagun Gjerman, Niels Annen dhe Zv. Presidentja e Bundestagut, Ulla Schmidt

Gjatë qëndrimit të tij në Berlin, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Meta u prit nga Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në Bundestagun Gjerman, njëkohësisht Zëdhënës i Politikës së Jashtme të Grupit Parlamentar të SPD, Niels Annen, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet shumë të ngushta gjermano-shqiptare në të gjithë nivelet.

Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bundestagut dhe në veçanti për qëndrimin konstant të Partisë Social Demokrate (SPD) ndaj zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe integrimit të plotë të Shqipërisë, duke e cilësuar zgjerimin e BE drejt Ballkanit si kyç për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

Në këtë drejtim, Meta vuri në dukje se “Procesi i Berlinit, ku Gjermania luan një rol parësor, është tepër i rëndësishëm për vendet tona, duke i shërbyer ndërlidhjes rajonale dhe zhvillimit socio-ekonomik”.

Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Bundestag, Annen u shpreh se pavarësisht disa zhvillimeve shqetësuese në disa vende evropiane, zgjerimi i Bashkimit Evropian është një opsion i hapur dhe i drejtë, ndaj avancimi përmes rrugëtimit realist të Ballkanit dhe veçanërisht i Shqipërisë drejt BE-së ka një rëndësi strategjike për gjithë Evropën.

“Ne këtu në Bundestag i kushtojmë vëmendje rajonit tuaj dhe jemi të përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të Shqipërisë”, – u shpreh Annen.

Meta dhe Annen ndanë bindjen më tej se frustrimi social gjithnjë e në rritje krijon hapësira për alternativa populiste, të cilat rrezikojnë projektin evropian dhe vlerat social-demokratike, që Shqipëria ndan me Gjermaninë, ndaj përqendrimi te zgjidhjet e qëndrueshme sociale dhe ekonomike për qytetarët dhe veçanërisht për të rinjtë në vendet e Evropës Juglindore duhet konsideruar si një prioritet i përbashkët për të cilin duhet intensifikuar bashkëpunimi.

Në këtë drejtim, duke biseduar mbi zhvillimet e fundit rajonale, u vlerësua asistenca gjermane në avancimin e reformave kyçe dhe në zhvillimin socio-ekonomik të rajonit tonë dhe u theksua rëndësia e zbatimit të reformës në drejtësi si kyçe për integrimin evropian të Shqipërisë.

Gjithashtu, gjatë vizitës në Berlin, Kryetari i Kuvendit u prit në takim edhe nga Zv. Presidentja e Bundestagut, Ulla Schmidt, me të cilën u vlerësuan marrëdhëniet historike, ekonomike e kulturore me Shqipërinë.

Schmidt shprehu edhe një herë mbështetjen e Gjermanisë për zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë ndërsa dy bashkëbiseduesit ndanë bindjen se perspektiva evropiane e Ballkanit duhet të avancojë dhe se Gjermania ka një rol kyç në këtë proces.
Meta theksoi se roli Bundestagut është shumë i rëndësishëm për integrimin evropian të Shqipërisë.

takimi-meta-ulla-schmidt_1480079529-9051916

“Dua të shpreh mirënjohje tonë për mbështetjen gjermane ndaj Shqipërisë. Jemi të vendosur të punojmë për më tepër të drejta sociale dhe të rrisim nivelin e jetesës së shqiptarëve. Vlerësojmë ekspertizën gjermane për një arsim profesional për të rinjtë”, – tha ndër të tjera Kryetari i Kuvendit, Meta gjatë takimit.

Temat
Botë

Të afërta