Deputeti i Partisë Demokratike Kastriot Ismali ka reaguar në lidhje me incidentin e ndodhur ditën e sotme në Komisionin e Jashtëm dhe ofendimet që ai bëri në drejtim të Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati.
Përmes një statusi në Facebook, Islami tregon se çfarë ndodhi paraditen e sotme. Sipas Islamit ishte arroganca e ministrit që e detyroi atë të humbasë durimin dhe ta quajë ministrin “rrugaç”.
Por ai nuk mbaron me kaq, sepse sipas tij, edhe kryetarja e Komisionit Arta Dade, u tregua po kaq arrogante sa edhe ministri.
DEKLARATA E KASTRIOT ISLAMIT
Një reagim i detyruar (për te mos lejuar asnjë abuzim apo spekulim) Ditmir Bushati, me arrogancë e fodullëk, dhe një gjuhë fyese, ofendoi deputetët e Komisionit të Jashtëm dhe veçanërisht ata të opozitës… *** Ndërkohë që sot në mbledhjen e Komisionit të Politikës së Jashtme, deputetët e opozitës e të tjerë, me seriozitet e përgjegjësi, bënë pyetje dhe komente për çështjet e buxhetit 2017… Me tej, Ditmir Bushati, me arrogancë e fodullëk, dhe me një gjuhë cinike e fyese, jo vetëm s’diskutoi për asnjë nga çështjet e buxhetit por kërkonte të ofendonte të gjithë deputetët që folën dhe veçanërisht ata të opozitës. Ndonëse përpiqej të ruante tonin e qetë, në panik dhe i tronditur, gjuha e tij ishte tipike e një njeriu të rrugës, e një fodulli përfaqësues të trashëgimisë së vjetër dhe e një arroganti tipik për një regjim të interesave të oligarkisë, korrupsionit dhe krimit…Gjuhë tipike për individ që do t’i shkonte për shtat cilësori “gjuhe prej rrugaçi”…aq më tepër që po fliste në komisionin e jashtëm dhe me deputetë që kane mbajtur postin e ministrit të jashtëm…Nuk ishte asnjë nga deputetët e komisionit të jashtëm, dhe veçanërisht asnjë nga deputetët e opozitës që ofenduan por ishte Ditmir Bushati që ofendoi dhe fyeu anëtarët e komisionit dhe veçanërisht deputetet e opozitës…Kjo erdhi edhe për shkak të drejtimit imparcial të mbledhjes nga Arta Dade që iu bashkua sjelljes së tij…