Shpëtim Pollozhani refuzoi dekoratën e Hashim Thaçit, befasohet shumë Bardhyl Mahmuti

Lajmi se Shpëtim Pollozhani, kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë shqiptarë në Maqedoni, ka refuzuar Medaljen që i ishte dedikuar nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, e ka befasuar “tej mase” bashkëpunëtorin e afërt të presidentit kosovar, Bardhyl Mahmutin.

Ai me këtë rast ka publikuar një komunikatë, të cilën Gazeta Express po e boton në tërësi në vazhdim:

“Është e drejtë e pakontestueshme e secilit veprimtar politik të merr qëndrime në përputhje me pikëpamjet e veta. Por, mungesa e koherencës në qëndrimin e Shpëtim Pollozhanit është e pakuptueshme ndërsa deklarata e tij se ,, për Mirënjohjen si veprimtar e ka informuar Ambasada e Kosovës në Shkup’’ është deklaratë e njëanshme.

Meqenëse jam i implikuar në këtë situatë e shoh të arsyeshme të sqaroj opinionin publik me sa vijon:

Emrat e një numri veprimtarësh politikë që vijnë nga viset shqiptare nën Maqedoni i kam propozuar unë. Në mesin e këtyre emrave ishte edhe emri i Shpëtim Pollozhanit, të cilin e kam njoftuar para se të miratohej lista. Është e vërtetë se Shpëtim Pollozhani më ka falënderuar për propozimin që kam bërë dhe gjatë tri komunikimeve që kemi pasur lidhur me këtë temë ai nuk ka shprehur as kundërshtimin më të vogël. Përkundrazi. Më ka falënderuar.

auto-ali-bardhyl1479770778_1479828159-9534260

Edhe në komunikimin që patë një ditë para ndarjes së mirënjohjeve ai nuk shprehu as një mospajtim lidhur me këtë çështje dhe nuk më njoftoi se ka ndryshuar mendjen. Duke parë lojnat pas shpinës që luhen në Ballkan edhe nga njerëzit që nuk ma ka marrë mendja se mund të luajnë në këtë mënyrë e shoh që kam gabuar që jam implikuar në këtë çështje.

Shpëtim Pollozhani ka mundur t’i bëjë të gjitha vërejtjet kundër Hashim Thaçit pa pasur nevojë të më instrumentalizojë mua. Së paku nuk ja kam pasur për borxh një gjë të tillë. Mend për tjetër herë thotë populli”, thuhet në komunikatën e Bardhyl Mahmutit.

Presidenti Thaçi dje dekoroi 108 personalitete shqiptare nga Maqedonia për merita dhe kontribute të ndryshme kombëtare, gjë që shkaktoi reagime të shumta, duke u cekur para së gjithash fakti se këto dekorime Thaçi i bëri në ditën e parë të fushatës për zgjedhjet e 11 dhjetorit në Maqedoni.

Temat
Rajon

Të afërta