Panic zhgënjen serbët: Fitorja e Trump nuk ndryshon asgjë për Serbinë

Los Angeles – Ish Kryeministri i Jugosllavisë (Serbia dhe Mali i Zi) dhe biznesmeni serb në SHBA, Milan Panic, beson se fitorja e Donald Trump në zgjedhjet në SHBA nuk do të ketë asnjë ndikim në Serbi.

“Nuk pres ndryshim në cilindo nivel. Serbia është një vend i rëndësishëm në botë, por sa i përket Amerikës dhe politikës amerikane ndaj Serbisë, nuk do të ketë ndryshime. Nuk do të ndryshojë gjatë kësaj kohe dhe ndoshta as në të ardhmen”, ka thënë Panic në “TV Prva” në Serbi, në emisionin “150 minuta”, duke shtuar se amerikanët e shohin Serbinë si pjesë të Evropës.

Siç tha, nuk do të ndryshonte asgjë në raportin e Shteteve të Bashkuara ndaj Serbisë edhe sikur të kishte fituar Hillary Clinton. Megjithatë, ai beson se e gjithë familja Clinton duhet të dalë nga politika amerikane.

“Koha e Clinton-ëve ka përfunduar. Tek unë ka ndikimin bombardimi, por unë tash po flas edhe si amerikan. I kam bërë thirrje presidentit Clinton që të mos e bombardojë Serbinë. Pozicioni im ishte filozofik – ne fituam komunizmin pa bomba, demokracia dhe kapitalizmi mundën komunizmin pa bomba, atëherë ne, sa më përket mua, filluam që me bomba të mësojmë rreth demokracisë botërore. Mesazhi im për të Clinton ishte se kjo është një tragjedi dhe që atëherë unë kam qenë anti-Clinton. Ky është qëndrimi im publik dhe unë mendoj se ata duhet të dalin nga politika amerikane”, tha ai.

Ndryshimi në marrëdhëniet në politikën e jashtme, konsideron Panic, do të jetë midis SHBA dhe Rusisë.

“Marrëdhëniet mes të Rusisë dhe Amerikës do të jenë më të mira, sepse do të ketë më shumë mirëkuptim të amerikanëve ndaj Rusisë, por edhe të rusëve ndaj Amerikës. Të dy vendet po afrohen për çdo ditë, më tepër se që ishin ndonjëherë më parë”, ka thënë Panic.

Panic ka shtuar se është e vështirë që të parashikohen lëvizjet e Trump dhe se është e mundur që ai do ta vizitojë Serbinë.

“Nëse dëgjon se ka ushqim të mirë, ndoshta vjen për ushqim. Por me siguri se do të vijë për shkak se gruaja e tij është nga Jugosllavia”, tha Panic.

Panic thotë se Trump është biznesmen dhe të gjitha gjasat janë që do të udhëheqë shtetin si një biznesmen, e jo si politikan.

panic_1479828550-9366321

Temat
Vend

Të afërta