Site icon first-channel tv, Prishtinë, Kosova

Isa Mustafa: Qytetarët le ta dinë se opozita dhe Lista Serbe po bllokojnë liberalizimin e vizave

Kryeministri Isa Mustafa është treguar i ashpër me ata që kundërshtojnë ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Mali e Zi.

Sipas tij, Gjeorgjia dhe Ukraina do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave, kurse Kosova, thotë ai, ndahet nga ky grup për shkak që opozita e kundërshton marrëveshjen e demarkacionit.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka fajësuar opozitën dhe disa deputetë të LDK-së që kanë përqafuar kauzën e AAK-së, si penguese e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kryeministri në këtë kundërshtim e ka futur edhe Listën Serbe, duke thënë se këta dhe opozita u bënë bashkë për të kundërshtuar një element të rëndësishëm të sovranitetit të vendit.

Postimi i plotë:

Të nderuar miq,

Gjeorgjia dhe Ukraina, pas marrëveshjes së rregullave të suspendimit, do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave. Kosova, për fat të keq, po ndahet nga ky grup për shkak se opozita po e kundërshton marrëveshjen për demarkacion, që është kusht për liberalizim. Edhe disa deputet të pozitës, përfshirë një numër të vogël edhe nga LDK-ja kanë përqafuar kauzën e AAK-së dhe po bëhen pengesë e vendimit për liberalizim. Lista Serbe pas votimit të Ligjit për Trepçën u shpreh se nuk do ta votoj demarkacionin. U bënë bashkë këta për të kundërshtuar një element të rëndësishëm të sovranitetit të vendit.

Qytetarët duhet ta dinë qartë se kush janë ata që po kundërshtojnë që Kosova të këtë kufijtë e vet ndërkombëtar me Malin e Zi, që po pengojnë bizneset të shfrytëzojnë hapësirën që ua ka mundësuar MSA-ja, dhe pse po e bëjnë këtë. Pse po e mbajnë peng rininë tonë. Edhe LDK do ta dijë se kush janë deputetët e saj që, në kundërshtim me vendimet e organeve më të larta, po pengojnë e liberalizimin e vizave.

Qeveria e ka bërë punën e saj. Komisioni shtetëror qëndron ligjërisht prapa vijës kufitare të caktuar dhe me përgjegjësi ligjore konfirmon se është kufiri që Kosova e ka pasur edhe kur ka qenë Krahinë. Komisioni ndërkombëtar ka konfirmuar se kufiri është në rregull. Departamenti i Shtetit i SHBA ka vërtetuar po ashtu këtë kufi.

Qytetarët nuk duhet të bëhen viktimë e kauzave të rrejshme politike dhe as e qëndrimeve të papërgjegjshme të disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përfshirë edhe disa nga partia që unë drejtoj.

Vlerat e shtetit, sovraniteti shtetëror dhe orientimi evropian nuk kanë asgjë të përbashkët me sjelljet folklorike, primitive dhe provinciale. IM

Exit mobile version