Operacione kundër xhihadistëve të rinj – agjentët izraelitë zbarkojnë në Kosovë

Një operacion i ri i arrestimeve kundër të dyshuarve për terrorizëm në Kosovë ka filluar dhe nëntë kosovarë janë prangosur. Express merr vesh se dyshimet janë që ky grup që kishte planifikuar sulme në ngjarje publike e institucione të sigurisë është i përbërë nga më shumë se 30 persona dhe u zbulua edhe pse po përdornin mundësi komunikimi elektronike zor të kapshme, siç është edhe “snap-chat”. Po ashtu edhe agjentë izraelitë janë përfshirë në terren për të ndihmuar autoritetet kosovare kundër këtij grupi që mund të jetë i lidhur pos me ISIS’in edhe me ekstremistë në Maqedoni e Shqipëri

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Izraelit e planifikuar për të shtunën mund të shtyhet për shkak të frikës nga sulmet terroriste, kanë raportuar mediat shqiptare. Pikërisht për shkak të dyshimeve për sulme në këtë ngjarje, por jo vetëm për të, autoritetet kosovare kohët e fundit kanë zhvilluar një sërë veprimesh për kapjen e të dyshuarve për veprimtari për terrorizëm.

Deri tash janë arrestuar nëntë persona. Burime të Express të përfshira në operacion kanë thënë që ky numër i personave mund të kalojë mbi 30. Janë këta gjenerata e re e të prekurve nga idetë e islamit radikal që lypin shtet me “Shariat” përmes “xhihadit”, të frymëzuar nga lëvizja e islamit politik e njohur si wahabizmi.

Deri tash janë bërë publik vetëm emrat e shtatë të arrestuarve. Ata janë Bujar Brahimi, Visar Ibishi, Liridon Morina, Burim Istrefi, Leotrim Musliu, Kenan Plakaj dhe Leotrim Vojvoda, derisa operacioni po vazhdon, i ndihmuar edhe nga agjentë të shërbimeve inteligjente izraelite që janë në terren në Kosovë.

Burimet e Express kanë bërë me dije se operacioni që është zhvilluar ditën kur u arrestuan personat e lartpërmendur që ishte zhvilluar në Mitrovicë, Ferizaj, Skenderaj e Prishtinë është shtrirë edhe në qytete tjera kosovare për të lokalizuar edhe të dyshuar të tjerë të grupit të kosovarëve të lidhur edhe me ekstremistë tjerë fetarë në Maqedoni e Shqipëri, që veprojnë në favor të organizatës terroriste Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit (ISIS).

Edhe organet e rendit në Shqipëri javës që shkoi kanë arrestuar 4 persona të akuzuar për terrorizëm. Arrestimet u bënë pasi dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shtetas të tjerë jashtë vendit, propagandonin nxitjen e urrejtjes, bënin rekrutimin e personave për të shkuar në Siri përkrah organizatës terroriste ISIS.

Gjithashtu sipas policisë, ata akuzohen se mbështesnin me logjistikë e financime ISIS, si dhe mund të udhëtonin në zonat e konfliktit në vendet e Lindjes së Mesme.

4 personat u arrestuan, sapo ishin kthyer në Shkodër pas një ligjëratë që kishin ndjekur në një xhami në Malësinë e Madhe, e cila ishte drejtuar nga një hoxhë nga Kosova, identiteti i të cilit ende nuk është publikuar.

Express ka kontaktuar me njësinë e kundër-terrorizmit në Policinë e Kosovës e përfshirë në këtë operacion, por të njëjtit deri tash nuk kanë komentuar as për numrin e të dyshuarve të vënë nën mbikëqyrje, e as për përfshirjen e agjentëve të huaj në terren në Kosovë.

Përtej kësaj, Gazeta Express merr vash që krejt ky grup i ri i ekstremistëve fetarë, që kanë jo shumë lidhje me muxhahedinët e trajtuar deri tash nga autoritetet kosovare- pra ata mbi 300 kosovarë që ishin pjesëmarrës në konfliktin në Siri e Irak si muxhahedinë, janë zbuluar pas hetimeve të bëra mbi atë se cfarë mjete të reja të komunikimit po përdorin terroristët islamik: aplikacionet në të cilat bisedat zhduken dhe dhomave të bisedave në kuadër faqeve për lojëra online

“Të dyshuarat që po mbikëqyren për planin e tyre për sulme në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri kanë përdorur forma më të sofistikuara të komunikimit, përfshirë këtu edhe “snap-chatin”, ka thënë për Express një burim i përfshirë në hetim.

“Snap-chat” është një aplikacion që kryesisht shquhet për opsionin e tij për të fshirë përmbajtjet, përfshirë këtu edhe bisedat, në mënyrë automatike e pas një kohe të shkurtër, dirsa dhomat e bisedave në faqet e lojërave online mundësojnë biseda vështirë të përgjumshme nga autoritet për shkak të numrit të madh të këtyre faqeve, përdoruesve të tyre dhe lehtësisë për tu bërë përdorues (user) në to.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 5 nëntor të këtij viti nxori vendim për paraburgosen e Bujar Brahimit, Visar Ibishit, Liridon Morinës, Burim Istrefit, Leotrim Musliut, Kenan Plakajt dhe Leotrim Vojvodës dhe në këtë vendim që e posedon Express Prokuroria Speciale ka përmendur që posedon komunikime të këtyre të dyshuarve për të përgatitur plane për sulme terroriste. Ata as në seancën ku u caktuar paraburgimi e as deri tash nuk kanë prezantuar provat e këtyre pretendimeve, por Prokurorja Speciale Merita Rugova ka thënë që ato do ti paraqes në një fazë tjetër, dhe ka përmendur kohën kur do të ngritët aktakuza.

Në këtë vendim Prokurorja pretendon që këta të dyshuar kanë pranuar urdhra nga njëri nga terroristët më të kërkuar shqiptar, Lavdrim Muhaxheri nga Kaçaniku, si dhe kanë synuar të sulmojnë edhe në institucionet kosovare, por jo vetëm në to.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit… i takojnë organizatës terroriste ISIS në atë mënyrë që i pandehuri Bujar Brahimi një kohë me dashje ka marrë pjesë në veprimtarinë terroriste në radhët e kësaj organizate në Siri, ashtu që gjatë muajve shtator-tetor 2016, sipas udhëzimeve të ish udhëheqësit të shqiptarëve në Siri, Lavdrim Muhaxheri, të pandehurit e lartcekur dyshohet se kanë përgatitur sulme terroriste së pari në Kosovë, si dhe në vendet tjera të Ballkanit, ashtu që të njëjtit kanë planifikuar të sulmojnë objekte të ndryshime mes tyre edhe institucionet e sigurisë, me qëllim që seriozisht të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale, e pastaj në territorin e tyre të krijojnë të ashtuquajturin Shtetit Islamik Iraku dhe Levanti (Siri)”, thuhet në këtë vendim të Gjyqit.

Që nga vera e viti 2014 kur Kosova iu bashkua aleancës ndërkombëtare Anti-ISSI në vend janë zhvilluar shumë operacione kundër-terrorizëm, janë arrestuar po ashtu dhjetëra të dyshuar për përfshirje në luftërat në Irak e Siri si xhihadistë, një pjesë e mirë e tyre janë akuzuar e gjykuar, e pak prej tyre edhe janë dënuar. Së fundi janë ngritur aktakuza edhe kundër pesë imamëve të Bsashkësisë Islame të Kosovës (BIK), derisa bashkë me ta është akuzuar edhe lideri i partisë së dytë islamike në vend, Fuad Ramiqi që është hemelues i partisë “LISBA”.

Muaj më parë u dënua edhe imami tjetër i BIK’ut, Zeqirja Qazimi që do të qëndrojë në burg për 10 vite i gjetur fajtor për nxitje të urrejtjes e rekrutim të terroristëve, dhe ai u dënua bashkë me Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Ballazhi, Jetmir Kyqyku, Liridon Kabashi dhe Ilir Krraba- që kanë marrë dënime më të ulëta se imami Qazimi.

Kosova për një kohë të gjatë është konsideruar si vendi më i prekur në Europë nga fenomeni i luftëtarëve të huaj në grupet terroristet ku strategji kundër ekstremizmit të dhunshëm e Qeverisë thotë që numri i pjesëmarrësve kosovarë në këto grupe kishte qenë mbi 300 xhihadistë që kur përllogaritet me numrin prej 1.8 milionë banoresh jep të dhëna alarmante.

Aktualisht, sipas Blerim Ramës nga njësia kundër-terrorizëm e Policisë së Kosovës janë në Siri mbi 140 kosovarë,por ai nuk ka specifikuar se a bëhet fjalë vetëm për luftëtarë apo edhe për familjarët e tyre, gra e fëmijë.

Në këtë konflikt nuk është plotësisht e konfirmuar, por edhe autoritete flasin për një numër të kosovarëve të vrarë në të që sillet rreth 60 viktima- ose të cilësuar nga grupi SISI dhe krahu i Al-Kaidës në Siri, Xhabhatu Al-Nusra si “shahidë” (dëshmorë).

Temat
Vend

Të afërta