Vend

FOL: Ministritë e Kryeministria, më të Korruptuarat

By FIRST CHANNEL

November 08, 2016

Në hulumtimin e titulluar “Skenimi i Korrupsionit 2016” del se 71% e të anketuarve i konsiderojnë ministritë si institucione ku ka prezencë të korrupsionit në nivel shumë të lartë , 69% për prani të korrupsionit e kanë drejtuar gishtin te Zyra e kryeministrit ndërsa 65% te partitë politike.

Ministritë, kryeministria dhe partitë politike kanë dalë të jenë organizatat më të korruptuara në Kosovë, sipas një hulumtimi të realizuar nga Lëvizja “FOL”.

Në hulumtimin e titulluar “Skenimi i Korrupsionit 2016” del se 71% e të anketuarve i konsiderojnë ministritë si institucione ku ka prezencë të korrupsionit në nivel shumë të lartë , 69% për prani të korrupsionit e kanë drejtuar gishtin te Zyra e kryeministrit ndërsa 65% te partitë politike.

Hulumtimi e nxjerr papunësinë si problemin më të madh të shoqërisë së Kosovës me 57.7 % përderisa korrupsioni del si problemi i dytë me 15.5 %.

Sipas hulumtimit, 70 përqind e qytetarëve kanë qenë të kushtëzuar dhe kanë pranuar të ofrojnë ryshfet, dhurata apo favore tjera.

Prokurorja speciale, Drita Hajdari tha se është e shqetësuar nga perceptimi i lartë i qytetarëve për korrupsion. Ajo tha se ligji anti-korrupsion është votuar në Kosovë por se mungon ligji anti-mafia.

“Mungon ligji anti-mafia me të cilin kishim me kriju kushte për konfiskimin e pasurisë së paligjshme”, tha prokurorja Hajdari.

Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, tha se për ta luftuar korrupsionin, duhet pasur sundim të ligjit.

“Korrupsioni për Kosovën është ende një problem i madh”, tha ajo.

Në raport thuhet se perceptimi për prezencën e korrupsionit në institucione vjen nga raportimi i mediave, bisedat me shokë e familjarë, përvojat personale.

Nga ata që kanë përjetuar kushtëzimet rreth 37% kanë raportuar që kjo ka ndodhur vetëm një herë, te rreth 24% të qytetarëve kjo iu ka ndodhur dy herë kurse në 6% të rasteve iu ka ndodhur më shumë se pesë herë.

Më herët Kallxo.com kishte raportuar për hapjen e Qendrës Edukative Kundër-korrupsion që ishte bërë me mbështetjen e ambasadës holandeze në Kosovë. Në këtë hapje ambasadorja holandeze Gerrie Willems kishte thënë se Kosova po përballet me korrupsion që nga shpallja e pavarësisë.