Arratisja e të akuzuarit si rekrutues për terrorizëm, Irfan Haqifi, njëkohësisht vëllai i një komandanti kosovar në ISIS, ngre pikëpyetje mbi aftësinë e sistemit të drejtësisë së Kosovës në trajtimin e këtyre rasteve, ndërsa të pandehur të tjerë rezultojnë gjithashtu të zhdukur.
Javën e fundit të tetorit, mediat kosovare publikuan lajmin se një i akuzuar për terrorizëm, Irfan Haqifi, kishte shkelur masën e arrestit shtëpiak dhe kishte ikur në drejtim të paditur.
I arrestuar në korrik 2014 dhe i akuzuar për rekrutim për terrorizëm, Haqifi ishte liruar nga paraburgimi dhe ishte vendosur në arrest shtëpiak, pasi pranoi fajësinë në shtator të vitit 2015.
Në shtator të këtij viti, stacioni policor në Gjilan njoftoi “përmes një shkrese zyrtare… Gjykatën Themelore në Prishtinë se i pandehuri I.H. nuk i është përmbajtur masës së arrestit shtëpiak dhe i njëjti është larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në përgjigjen e gjykatës për Gazetën Jeta në Kosovë.
Ndërsa Kosova ka kryer dhjetëra arrestime dhe është duke gjykuar rreth 70 të akuzuar, nga të cilët disa janë shpallur fajtorë, shumica e të pandehurve akuzohen për pjesëmarrje në organizata terroriste apo për krime më të lehta si armëmbajtja pa leje.
Si rrjedhojë, aktakuza e Irfan Haqifit si rekrutues për organizatën terroriste ISIS spikat mbi shumicën e rasteve të tjera. Gjithashtu, çka e bën profilin e Haqifit edhe më të ndjeshëm është fakti se i vëllai i tij është Ridvan Haqifi, i njëjti që në një video mesazh kërcënoi vendet e Ballkanit me sulme terroriste.
“Do të tmerroheni e të trishtoheni edhe në ëndrrat e juaja, edhe atëherë kur ju flini. Do t’ju mbysim juve me lejen e Allahut”, deklaroi Ridvan Haqifi, duke nxitur Kosovën dhe Shqipërinë të rrisin nivelin e sigurisë.
Diçka e tillë ndodhi tre muaj para se Irfani të dilte nga paraburgimi. Më 3 shtator 2015, kur gjykata po shqyrtonte masat e sigurisë për Haqifin dhe të dyshuar të tjerë që kishin pranuar fajësinë, prokuroria gjithashtu ra dakord që ai të vendosej në arrest shtëpiak.
Edhe pse nuk ka një shifër të përgjithshme zyrtare, shumica e të pandehurve që përballen me akuza për terrorizëm janë lëshuar nga paraburgimi dhe ndodhen nën masa më të lehta sigurie.
Krahas Irfan Haqifit, të paktën edhe dy të akuzuar të tjerë për terrorizëm, Bekim Mulolli dhe Betim Ibrahimaj, raportohet se kanë shkelur masën e arrestit shtëpiak dhe janë arratisur jashtë vendit.
Prokuroria speciale e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Gazetës Jeta në Kosovë nëse ata kanë kryer ndonjë vlerësim mbi nivelin e rrezikshmërisë që paraqesin të akuzuar specifikë, para se të vendosej për zbutjen e masës së sigurisë.
Personat për të cilët është vendosur arrest shtëpiak apo detyrim paraqitjeje në stacion policor, si masa më të lehta sigurie se paraburgimi, në Kosovë nuk përdorin byzylykë elektronikë (që tregojnë vendndodhjen përmes GPS), ndërsa gjykata nuk u kufizon përdorimin e internetit për të akuzuarit.
Tekstin e plotë mund ta lexoni në Kallxo.com
