Lajme

Qeveria kërkon t’ua zvogëlojë pensionet veteranëve?

By FIRST CHANNEL

November 02, 2016

As gjysma e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare nuk do të marrin pensione me paratë që ka planifikuar në buxhet Qeveria e Kosovës.

Gazeta Fjala mëson se për vitin e ardhshëm Qeveria ka ndarë 38 milionë euro, që për 12 muaj me nivelin e pensionit, prej 170 eurosh, siç parasheh ligji për veteranët, do të mjaftojnë vetëm për 18 mijë e 630 persona.

Ndërkohë deri në shtator të këtij viti janë paraqitur 28 mijë e 100 persona që gëzojnë këtë të drejtë.

Kjo shifër mund të rritet edhe më shumë pasi Kosova ua ka njohur statusin e veteranit 42 mijë personave.

Megjithatë, për të bërë zgjidhje për të gjithë, kryeministri Isa Mustafa, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës t’ia mundësoj atij t’ua zvogëloj pensionet meritore veteranëve.

I pari i LDK-së planifikon që këto pensione të zvogëlohen së paku për 60 euro, në bazë të nenit 24 të ligjit për buxhetin, shkruan Gazeta Fjala.

Me këtë nen kufizohet që totali i shpenzimeve në skemën e pensioneve për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund të tejkalojë shumën prej 38 milionë euro për vitin fiskal 2017.

“Përjashtimisht nga neni 18 i Ligjit Nr. 04/L-261 për Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qeveria e Republikës së Kosovës merr vendim për lartësinë e shumës mujore të pensioneve për veteranët e luftës në përputhje me ndarjet buxhetore të përcaktuara me paragrafin 1 të këtij neni”, thuhet në nenin që ka nxitur përplasje mes partnerëve të koalicionit PDK-LDK.

Ndryshe nga kjo kërkesë, sipas Ligjit për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pensioni nuk mund të jetë më i ulët se paga minimale në Kosovë, që aktualisht është 170 euro.

“Pagesat dhe beneficionet për Veteranët e UÇK-ës nuk mund të reduktohen, apo eliminohen me vendim qeveritar”, thuhet në këtë ligj.