Kançeska nuk paraqitet në Gjykatë, Specialja kërkon t’i merret pasaporta

Ministrja maqedonase e Kulturës Elizabeta Kançeska Milevska dhe një i dyshuar tjetër në rastin “Tenderët”, edhe sot nuk u paraqitën në gjykatën penale. Ekipi i prokurores speciale Katica Janevës për ta kërkon marrjen e pasaportave për shkak të mundësisë së ikjes, si dhe që çdo të marte të paraqiten në gjykatë.

Gjykata Themelore Shkupi 1 nuk tregon se kur do të bëhet marrja e të akuzuarve në pyetje. Nga kjo gjykatë akuzuan se bëhen spektakle me ftesat e të akuzuarve nga Prokuroria Speciale për marrje në pyetje dhe se nuk mbahet llogari për prezumimin e pafajësisë dhe për ligjshmërinë e procedurave.

“Për këto arsye si Gjykatë, për të gjitha informatat lidhur me procedurat hetimore dhe parahetimore të ndonjërës nga prokuroritë në Maqedoni, ju udhëzojmë të drejtoheni tek palët në këto procedura”, thanë nga Gjykata Themelore Shkupi 1, raporton Alsat-M.

Para pesë ditëve, Prokuroria Speciale para opinionit shpalosi dy raste të reja, “Toplik” dhe “Tenderët”. Në mesin e të dyshuarve janë ministrja e Kulturës Elizabeta Kançeska Milevska dhe ish ministri i Transportit, Mile Janakieski. Ministrja aktuale e Kulturës dyshohet se ka kurdisur tender për kompaninë Beton Shtip.

“Më datë 05.08.2011 është lidhur kontratë për furnizime publike për realizimin e, siç përmenda, punime tashmë të kryera. Kontrata është lidhur mes Ministrisë së Kulturës, e përfaqësuar nga e akuzuara e parë dhe kompanisë “Beton” Shtip, SH.A Shtip, e përfaqësuar nga dëshmitari- drejtor i përgjithshëm, në vlerë prej 62. 480. 543 denarë, rreth 1 milionë euro”, deklaroi Fatime Fetai, prokurore speciale.

Kançeska Milevska dhe Janakieski i hodhën poshtë akuzat dhe thanë se rastet e Prokurorisë Speciale kundër tyre janë akuza paushall pa prova dhe në funksion të fushatës politike të LSDM-së para zgjedhjeve.

Temat
Rajon

Të afërta