Lajme

Qytetarët s’besojnë në drejtësi, ka ngritje të korrupsionit

By FIRST CHANNEL

October 24, 2016

Papunësia dhe korrupsioni janë dy problemet më madhe në Kosovë. Kështu janë përgjigjur qytetarët dhe përfaqësuesit e institucioneve në një anketë të realizuar nga UNDP-ja. Ata mendojnë se korrupsioni është rritur në dymbëdhjetë muajt e fundit.

Petrit Skenderi, i cili e ka prezantuar raportin, ka thënë se 67 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se gjërat në Kosovë nuk janë duke shkuar mirë.

“Një prej pyetjeve kryesore në të gjitha ankesat kryesore sa i përket pulsit publik ka qenë një prej problemeve më domethënëse që ballafaqohet shoqëria e Kosovës. Korrupsioni ka qenë i ranguar mjaft lartë në vendin e dytë, me 18,2 për qind e të anketuarve kanë thënë se korrupsioni është problemi më i rëndësishëm në Kosovë e që është kaluar vetëm nga papunësia që është përqindje mjaft e madhe, diku 44 për qind. Po ashtu, problemi me zhvillimin ekonomik është e përafërt me këtë, është diku 13 për qind. Anketa me popullatën e përgjithshme ka shfaqur se 82 për qind e të anketuarve mendojnë se niveli i korrupsionit vërtetë është ngritur në 12 muajt e fundit, e njëjta vlen edhe për 31 për qind besonin se është ngritur dhe vetëm një përqindje shumë e vogël, 12 për qind janë të mendimit se është zvogëluar korrupsioni gjatë 12 muajve të fundit”, ka thënë ai.

Ndërsa, nëse gjërat në Kosovë po shkojnë mirë, përqindja më e madhe e të anketuarve janë përgjigjur se gjërat në vendin tonë nuk po shkojnë ashtu si duhet, raporton KP.

Në hulumtimin e UNDP-së janë përfshirë edhe 500 zyrtarë civil, të punësuar në institucione publike. 3 për qind e tyre kanë thënë se korrupsioni është i pranishëm në institucione publike.

“… Kur janë pyetur në lidhje me atë se cilët janë faktorët më të rëndësishëm të cilët e shkaktojnë korrupsionin në Kosovë, punëtorët e sektorit publik kanë raportuar jo efektshëmia e sistemit gjyqësor si një prej faktorëve kyç, në këtë drejtim gjithashtu të ndjekur nga dëshira e pasurimit të shpejtë të njerëzve të cilët janë në pozita në fuqi, mungesa e kontrolleve strikte administrative është theksuar si një prej arsyeve apo fakteve që kanë ndikuar në korrupsion”, ka deklaruar ai.

Mirëpo, nga 51 për qind e të anketuarve nga institucionet e nivelit qendror të cilët janë përgjigjur se kanë parë korrupsion në vendin e tyre të punës dhe 48 për qind e të anketuarve nga niveli lokal, vetëm 28 për qind në nivelin qendror dhe 10 për qind në nivelin lokal i kanë raportuar këto.

Arsyet e mospublikimit të korrupsionit sipas UNDP-së, është mosbesimi në institucionet e drejtësisë.

Anketa ka përfshirë 1 mijë e 300 të qytetarë dhe 500 intervista me shërbyes civil, prej të cilëve 276 nga niveli qendror dhe 224 nga niveli lokal.