Lajme

Kryeministri nderon ushtarin britanik të UÇK’së

By Dijart Dyla

October 18, 2016

Kryeministri Isa Mustafa, ka pritur sot në takim veteranin luftëtar britanik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jon Harrison, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë. Gjatë takimit, kryeministri Mustafa dhe biseduan për progresin e arritur në Kosovë viteve të fundit, zhvillimin e shtetit, progresin në ekonomi, hapjen e perspektivës për qytetarët dhe veçmas për të rinjtë e Kosovës, thuhet në një njoftim për media.

Kryeministri Isa Mustafa, me këtë rast, shprehu mirënjohjen e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për kontributin që Harrison ka dhënë gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, duke qenë një luftëtar i paepur për çlirimin e Kosovës, theksohet në njoftimin e kryeministrisë.

“Kosova dhe populli i saj i janë përjetë mirënjohës dhe respektojnë luftën e sakrificën e çdo luftëtari, kontributin e shteteve mike perëndimore e më gjerë si dhe angazhimin vullnetar të luftëtarëve siç është Jon Harrison, i cili luftoi me tërë qenien për të vetmen kauzë, lirinë e Kosovës”, citohet të ketë thënë kryeministri Mustafa, duke e vlerësuar vendimin për emërimin e nesërm të një rruge në Prizren, me emrin e luftëtarit të dalluar, Jon Harrison.

Luftëtari britanik i UÇK’së, Jon Harrison, gjatë takimit, shprehu lidhjen e posaçme emocionale dhe reale që ka me popullin dhe me shtetin e Kosovës.

Në njoftim thuhet edhe se Harrison e ka përgëzuar kryeministrin Mustafa për lidershipin dhe për progresin që po arrihet në Kosovë në këtë fazë.

Aty thuhet edhe se luftëtari Jon Harrison, shprehu përkushtimin e tij për të kontribuar për ecjen e Kosovës përpara. /