Botë

“Rocki dhe Smocky”, dy arinjtë e robëruar në Shqipëri nisen për “azil” në Gjermani! (Foto)

By Dijart Dyla

September 30, 2016

Dy arinjtë të cilët mbaheshin në robëri në Sarandë, janë nisur drejt qendrës së Shpëtimit në Leinefelde – Worbis Gjermani.

Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Mjedisit e cila në në bashkëpunim me Shoqatën Animal Rescue Albania (ARA) kanë bërë të mundur dërgimin në Gjermani të dy arinjve më të vegjël se 6 muaj të cilët u konfiskuan në Sarandë në fillim të Gushtit 2016.

Mbasi u konfiskuan nga Inspektorati Shtetëror i Pyjeve arinjtë u dërguan në Kopshtin Zoologjik Tiranë dhe në datën 30 shtator u pagëzuan me emrat Rocki dhe Smocky.

Transporti u realizua ditën e sotme nga Kopshti Zoologjik drejt aeropotit të Rinasit. Bashkë me transportuesit ishin të pranishëm edhe veterinerët e huaj të cilët asistuan në të gjitha procedurat e nevojshme.

Pas aktit të konfiskimit, Ministria e Mjedisit ka përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për transferimin e arinjve, përfshi këtu dhe përgatitjen e lejes CITES.

Bashkë me dy arinjtë e vegjël, numri i arinjve që janë shpëtuar nga robëria dhe janë dërguar në qendra strehimore apo janë në proces dërgimi arrin në 15.