Kandidatura e opozitës për Ersekën, Duka: Basha ka rënë dakord të mbështesë propozimin tonë

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka konfirmoi se kandidaturën e Dritan Hajros për kreun e Bashkisë së Kolonjës është duke u negociuar edhe me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili sipas tij, e ka mirëpritur kandidaturën e Hajros.

“I kam çuar Bashës kandidaturën për kreun e Bashkisë. Kemi bërë negociata dhe jemi drejt përfundimit. Parimisht Basha ka mirëpritur kandidaturën. Brenda PAA-së ka njerëz me ideologji të majtë e të djathtë. Në zgjedhjet vendore e rëndësishme nuk është ideologjia. Kjo një betejë mes dy personave, dhe jo mes ideologjive”, u shpreh Duka.

Kandidati i PAA që do të garojë për këtë post do të jetë Dritan Hajro, anëtar i partisë së Agron Dukës, i cili është edhe vëllai i ish-deputetit të PS-së, Sokol Hajros.

Pas ndarjes nga jeta të kryetarit Arben Malo, pas një ataku kardiak, ashtu siç e përcakton edhe kodi zgjedhor, në Kolonjë do të mbahen zgjedhjet për kreun e ri të bashkisë.

Temat
Rajon

Të afërta