Rajon

Ilir Meta flet për ligjin e mbetjeve, referendumin e opozitës dhe zgjedhjet në Ersekë

By Dijart Dyla

September 30, 2016

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta në një komunikim me mediat dha përgjigje për disa nga temat më të nxehta të aktualitetit.

Pas arritjes së konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës në komisionin e reformës në Drejtësi që solli miratimin unanim të ligjit për SPAK, Meta tha se ky është një shembull që mund të funksionojë edhe për ligje të tjera për zbatimin e reformës në drejtësi.

“Pa asnjë diskutim që votimi i sotëm tregoi se mirëkuptimi dhe konsensusi mund të funksionojnë edhe për ligje të tilla për zbatimin e reformës në drejtësi, pas miratimit të reformës me konsensus. Maxhoranca i ka votat për t’i miratuar këto ligje, por kjo reformë kërkon që të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur për konsensus për një frymë sa më konstruktive që edhe mesazhet e fundit që vijnë nga Brukseli të bëhen një fakt i kryer në javët e ardhshme”, tha Meta.

Ndërsa në lidhje me protestën e nesërme kundër importit të mbetjeve, Meta tha se shqetësimi kryesor është moszbatimi korrekt i këtij ligji dhe se për këtë çështje, LSI depozitoi një amendament që i jepte fuqi shoqërisë civile për monitorimin.

“Sikurse ju e keni ndjekur, zoti Vasili në emër të grupit të LSI, në përgjigje të një skepticizmi dhe një mosbesimi edhe të opinioni publik dhe shoqërisë civile, kërkoi që monitorimi i zbatimit të këtij ligji të realizohet në respekt të këtij ligji nga shoqëria civile, duke pasur bindjen se shoqëria civile i ka të gjitha mundësitë për të monitoruar me zbatimin me korrektësi këtë ligj. Ky detyrim ligjor që u vendos në këtë ligj të shoqërohet edhe me iniciativa të tjera konkrete. Shqetësimi kryesor është moszbatimi korrekt i këtij ligji”, tha Meta. Ai tha se shoqëria civile i ka të gjitha kapacitetet për të realizuar një monitorim ekstrem në zbatim dhe respektim të këtij ligji.

Për sa i përket deklaratave të deputetit Përparim Spahiu, se do të marrë pjesë në protestën e nesërme të shoqërisë civile duke u shprehur kundër importit, Meta tha se është një e drejtë e tij, por duke e justifikuar me nisjen e fushatës nga ana e tij për kreun e LSI.

“E drejtë e tij, aq më tepër që ka nisur fushatën e tij. Çdo iniciativë qytetare e respektojmë por sa i takon iniciativave partiake e politizojnë debatin më shumë”, deklaroi Meta.

I pyetur nëse në Kolonjë, LSI do të ketë kandidatin e saj pas humbjes së parakohshme të kryetarit, Meta tha se nuk gjen dot një njeri të përshtatshëm për ta zëvendësuar dhe se ia ka lënë koalicioni.

“Për mua personalisht nuk ka më rëndësi. Ka qenë një humbje e papritur, e parakohshme dhe e pamerituar.

Nuk kam ndërmend të merrem me kandidatët për këtë çështje por do të ndjek edhe kolegë të tjerë, disa nga projektet që ai i nisi me aq dashuri për Kolonjën. Jam i bindur se koalicioni do të gjejë një kandidat sa më të mirë, por e kam të vështirë të gjej kandidat në nivelin e tij. Ato janë zgjedhje lokale dhe aksidentale, për mua e rëndësishme ecuria pozitive konstruktive, e miratimit të paketës së plotë të reformës në drejtësi”, theksoi Meta.