Basha kokëulur para të rinjve: Kemi bërë gabimet tona, por politika është për njerëzit që nuk thyhen nga humbjet

Lideri i Partisë Demokratike foli para të rinjve demokratë, me sinqeritet siç ai u shpreh, duke i dhënë mesazhet dhe këshillat se si duhet të sillen në politikën e së ardhmes.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës, Basha tha se e sheh Partinë Demokratike në pushtet, po shtoi se më shumë se sa pushtet politik, qeveria e ardhshme duhet të sjellë në pushtet qytetarin e harruar dhe të dhunuar nga arroganca qeveritare – siç theksoi ai.

Në fjalën e mbajtur në Akademinë Politike të Partisë Demokratike që u mbajt në Durrës, Basha pranoi gabimet që demokratët bënë në vitin 2013 dhe që i kushtoi rrëzimin nga pushteti, por shtoi se këto gabime janë reflektuar dhe se PD duhet të shkojë përpara për interesin publik.

“Kemi bërë gabimet tona që i kanë kushtuar interesit publik. Gabime që padyshim patën rolin e tyre në rotacionin politik të vitit 2013. Duhet të jemi krenar për çfarë arritëm, por kokëulur, zemërhapur, ti themi shqiptarëve, “po kemi gabuar, kemi reflektuar, le të shkojmë përpara. Çdo ndjesë duhet të jetë e sinqertë dhe në funksion të një aleance të re me qytetarin shqiptar. Nuk e kërkojmë votën për të sjellë PD në pushtet, por për të sjellë qytetarin e harruar, e dhunuar nga arroganca qeveritare. Do ta kërkojmë votën për një model të ri politik dhe shoqëror. Shoqëria civile do të kenë mundësinë të kontrollojnë çdo vendim të qeverisë së ardhshme, të qeverisë së demokratëve, të qeverisë sime. Koston do ta marrim bashkë me qytetarët shqiptarë. Vota e çdo shqiptari do të jetë jo vetëm për të ndryshuar pushtetin, por për të ndryshuar pozitivisht jetën e tyre. Beteja është e vështirë, interesat kriminale dhe korruptive janë të mëdha. Aleanca e qeverisë me krimin është e fortë dhe e çimentuar. Ne vijmë me shpresë dhe besim se aleanca që ne duam të ndërtojmë, dhe po ndërtojmë, ka provuar disa herë që ka qenë e sinqertë dhe e pathyeshme dhe kjo është aleanca me popullin shqiptar. Kam mësuar se në politikë si dhe në jetë, nuk duhet të mërzitesh, nuk duhet të thyesh në pengesën e parë as të dytën as të tretën asnjëherë, se politika është rrugë e vështirë në të cilën ndonjëherë por dhe shpesh herë do humbësh, do luftosh dhe do të dështosh, por nuk humbet besimi nëse lufton për gjënë e duhur, se një ditë do t’ia dalësh dhe do të fitosh. Kjo nuk do të thotë që mos të përpiqesh nga frika e besimit, nuk do të thotë që nuk do të zhgënjehesh, këto janë pjesë e politikës, nëse nuk jemi të përgatitur për tu ringritur pas plagëve, jeni në misionin e gabuar”, u shpreh lideri demokrat para të rinjve.

Temat
LajmeRajon

Të afërta