Azem Syla frikësoi dëshmitarin e mbrojtur përmes një personi të tretë

Azem Syla nuk ka shkuar vetë ta frikësojë dëshmitarin e mbrojtur, i njohur si “Dëshmitari 2”.

Këtë e ka bërë nëpërmjet një personi të tretë, dhe kjo praktikë, sipas Prokurorisë, është tipike për një udhëheqës të një grupi të organizuar kriminal: asnjëherë nuk veprojnë personalisht.

“Kështu, Azem Syla e ka shkelur urdhrin e Gjykatës Themelore, kur përmes një personi të tretë, i është afruar dhe është munduar të ndikojë në Dëshmitarin 2. Kjo është një rrethanë, e cila jep indikacion se ai do të pengojë procedurën duke ndikuar në dëshmitarë”, thuhet ndër të tjera në aktvendimin e Gjykatës së Apelit, të siguruar nga KTV-ja.

Sipas Prokurorisë, ato që janë cilësuar si tentime për frikësim dëshmitarësh, kanë ndodhur në tri raste të ndara, i pari madje në janar të këtij viti.

Megjithatë, avokati i Sylës, Tomë Gashi, e quan të pakuptimtë vendimin e Apelit, sipas tij, diametralisht të kundërt me atë të themelores, pasi që rrethanat, nuk kanë ndryshuar.

Megjithatë, Syla nuk është në qeli, por për arsye shëndetësore, është shtrirë në QKUK.

Temat
Vend

Të afërta