Rajon

Kryetar i Prosperitetit është Abdylhadi Vejseli, vendosi Gjykata e Tetovës

By Dijart Dyla

September 22, 2016

Në bazë të vendimit të Kongresit të VII-të të Partisë së Prosperitetit Demokratik, sot Gjykata themelore në Tetovë në Regjistrin e partive politike e regjistroi ABDULADI VEJSELIN, kryetar të PPD-së, njoftoi sot me anë të një komunikate partia nga Tetova.

“Përndryshe, Partia për Prosperitet Demokratik e mbajti Kongresin e saj të jashtëzakonshëm më 10 shtator 2016 në sallën e madhe të Pallatit të kulturës në Tetovë me moton “ Sfidat na forcojnë” ku 615 delegatë partiakë nga të gjitha nëndegët dhe degët e partisë njëzërit e zgjodhën zotin Abduladi Vejseli për kryetar të PPD-së”, thuhet në komunikatën e Prosperitetit, ku paralajmërohet për pasnesër, 24 shtator, edhe rizgjedhja e kuvendit dhe kryesisë së Degës Tetovë.

GazetaExpress përkujton se PPD-ja, e njohur si “Prosperiteti”, ka qenë faktori kryesor politik i shqiptarëve të Maqedonisë, që nga pavarësimi i këtij vendi në vitin 1990, e deri në pjesën e dytë të kësaj dekade, kur u paraqit fraksioni i udhëhequr nga Arbër Xhaferi dhe Menduh Thaçi, që më vonë u shndërrua në Partinë Demokratike Shqiptare.

Lideri i atëhershëm i PPD-së, Ymer Ymeri tash i ndjerë, ishte madje edhe nënshkrues i Marrëveshjes së Ohrit, që i dha fund konfliktit të Maqedonisë në vitin 2001. Pas formimit të Bashkimit Demokratik për Integrim, parti kjo e dalë nga strukturat e Ushtrisë Çlirimtare Kompbëtare, e udhëhequr nga Ali Ahmeti, “Prosperiteti” pothuajse zhduket nga skena politike e Maqedonisë dhe mbetet një subjekt minor, që nuk arrin të fitojë vende, jo vetëm në Parlamentin republikan, por as në këshillat komunalë me shumicë shqiptare në Maqedoni.

Abdylhadi Vejseli edhe më herët e ka udhëhequr këtë parti, pa ndonjë rezultat të dukshëm. Kundërkandidat në zgjedhjet partiake kishte Muhamet Halilin, ish-ambasador i Maqedonisë dhe një figurë gjithashtu e padukshme në spektrin partiak të vendit tash e 15 vjet