Rajon

Sherri në gjimnaz, kapet autori, 15-vjeçari i plagosur në gjendje të rëndë

By Dijart Dyla

September 20, 2016

Një sherr mes disa adoleshentësh pranë gjimnazit ku ata janë nxënës, përfundoi me plagosjen e një 15-vjeçari.

Ngjarja ndodhi pranë gjimnazit “Andon Zako Çajupi” rreth orës 12:35. Disa të rinj kanë pasur një konflikt me njëri-tjetrin ku janë përleshur edhe fizikisht. Si pasojë e konfliktit – thotë policia e kryeqytetit – mbeti i plagosur me mjete prerëse 15-vjeçari me inicialet Kristi S, nxënës në vitin e fundit të gjimnazit. Sipas informacioneve nga bluzat e bardha ai është plagosur rëndë, pasi thika i ka prekur arterien e këmbës.

Policia thotë se për ngjarjen në fjalë ka ndaluar autorin e dyshuar, Marsel Suli, ndërsa janë shoqëruar edhe 4 persona të cilët dyshohet se kanë dijeni lidhur me konfliktin.

Të rinjtë kanë nisur të zihen brenda ambienteve të shkollës dhe më tej kanë dalë edhe jashtë. Në polici është shoqëruar edhe roja i shkollës për faktin se nuk duhet të kishte lejuar që nxënësit të dalin jashtë.

Me rregull, nxënësve i ndalohet të dalin nga shkolla nëse nuk ka përfunduar orari zyrtar i mësimit. Ai është edhe momenti që hapet dera dhe nxënësve u lejohet të dalin.