Opozita braktis mbledhjen e reformës në Drejtësi, Bylykbashi: Kërkojnë të zhbëjnë kushtetutën e re

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për reformën në Drejtësi zhvilloi sot mbledhjen e radhës, ndërsa opozita e braktisi atë me pretendimin se me votimin që bëri mazhoranca po zhbën kushtetutën e miratuar në 22 korrik.
Nënkryetari demokrat i këtij komisioni Oerd Bylykbashi tha se në këtë mbledhje po shqyrtohej një ligj shumë i rëndësishëm, por që në nenin e parë, mazhoranca kërkoi të zhbëjë kushtetutën e miratuar në 22 korrik të këtij viti.

“Me ligj të kthejë, të fusë në proces ato që konsensusi politik i hoqi filtrat që do të kapnin politikisht kandidatët që i vijnë kuvendit për tu votuar si anëtarë jo gjyqtarë, apo jo prokurorë në KLGj dhe KLP. Pra duan që me ligj, që me mazhorancën e tyre të zhbëjnë jo vetëm konsensusin politik, por germën dhe frymën e nenit kushtetues, në mënyrë të veçantë nenit 147.

Kërkojnë që nëpërmjet instrumenteve të tyre të dërgojnë emra të caktuar dhe Kuvendi të jetë vetëm një votues i këtij vullneti politik të kontrolluar, atë që deshën të bënin dikur dhe e rrëzoi marrëveshja politike, atë kërkojnë që të bëjnë sot. E miratuan, ne e votuam kundër dhe për rrjedhojë dolën nga komisionit. Me këtë votim sot është e kotë çdo lloj debati për sa kohë thyejnë konsensusin dhe kushtetutën haptazi.

Kushtetuta përcakton organet dhe procedurën për zgjedhjen e anëtarëve jo gjyqtarë dhe jo prokurorë, i famshmi paragrafi 88. Debatin e gjatë dhe ndërhyrjen ndërkombëtare për këtë çështje. Nëpërmjet procedurës së sotme po futin organe që nuk ekzistojnë në kushtetutë. I shesin për procedurë, por nuk mund të jenë procedurë mbledhja e drejtuesve të fakulteteve të Drejtësisë, apo bordi i Dhomës së Avokatisë. Përpiqen ti shesin si procedurë për tu shtuar me ligj, por në fakt po shtojnë organe jo kushtetuese që do të filtrojnë vullnetin e Kuvendit. Kjo është haptazi në kundërshtim me frymën e kushtetutës dhe rrënon në themel konsensusin që coi në miratimin e kushtetutës në 22 korrik. Sigurisht nëse do të ishte respektuar marrëveshja kjo maskaradë nuk do të kishte ndodhur. E bënë të qëllimshme pikërisht për këtë: që me 84 vota apo sado që të kenë të ndryshojnë atë që u arrit në 22 korrik”, tha Bylykbash

Temat
LajmeRajon

Të afërta