Lajme

Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i Agjencisë vizituan njësinë e ndërmarrjes “Trepҫa” në veri

By Dijart Dyla

September 15, 2016

Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit kanë zhvilluar një vizitë pune në njësinë veri të “Trepҫa – Ndërmarrje në Administrim të AKP” ku janë pritur dhe informuar nga Menaxhmenti i kësaj njësie. Vizita e Delegacionit të udhëhequr nga Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të AKP-së Petrit Gashi, u zhvillua në vazhdën e angazhimeve të Agjencionit për njoftim për së afërmi me problemet e ish ndërmarrjes më të madhe shoqërore në Kosovë, e cila administrohet nga AKP.

Kjo vizitë pasohej nga vizita që Bordi i Drejtorëve kishte realizuar në korrik të këtij viti me Menaxhmentin e njësisë jug të Trepçës të me seli në Mitrovicë, me ç’rast delegacioni i AKP-së pat rastin të vizitojë minierën më të madhe të Trepçës në Stantërg dhe metalurgjinë e zinkut në Mitrovicë.

Në takimin e djeshëm me menaxhmentin në Zveçan, është diskutuar për situatën aktuale në Trepҫë me fokus të veçantë për njësinë operacionale veri, me ç’rast bordi dhe menaxhmenti i AKP-së kanë siguruar menaxhmentin në Zveçan për përkushtimin e Agjencisë në përkrahjen e ndërmarrjes në të gjitha sfidat me të cilat ballafaqohet.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit në cilësinë e Administratorit të Ndërmarrjes Trepҫa është adresa për trajtimin e të gjitha çështjeve për dhe rreth Trepçës” tha Drejtori Menaxhues i AKP -së z. Ekrem Hajdari, duke vlerësuar nismat që dolën në këtë takim për veprime konkrete në tejkalimin e disa vështirësive që ndërmarrja aktualisht ka.

Delegacioni i AKP dëgjoi propozimet dhe kërkesat e Menaxhmentit për ndryshimet e mundshme me qëllim të lehtësimit të procedurave administrative dhe operative të cilat duhet marrë parasysh në një veprimtari komplekse siç është ajo e Trepçës.

Është hera e parë që të dy njësitë operative të Trepçës – veri dhe jug, janë vizituar nga Bordi dhe Menaxhmenti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Javën e ardhshme është caktuar edhe takim i përbashkët i menaxhmentit të AKP dhe dy menaxhmenteve të Trepçës me qëllim të konkretizimit të veprimeve të diskutuara në funksion të rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të afarizmit të ndërmarrjes në përgjithësi.